Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia ka zhvlerësuar në tërësi qëndrimin zyrtar të Presidencës së Kosovës për incidentin e ndodhur në aeroportin e Shkupit të Maqedonisë së Veriut në presidenten Vjosa Osmani. Ai kur është pyetur për dy vlerësime të presidencës, gjegjësisht “sulmin ndaj Republikës së Kosovës” dhe “tendencën për të shkaktuar aksident”.
Kurti, i pyetur lidhur me këto dy deklarime në reagimin zyrtar të Presidencës, në një konferencë të përbashkët me homologun e tij maqedonas, Hristijan Micksoki, ka thënë se këtë mund ta ketë thënë ndonjë qytetar.
“Nuk e di që kemi pasur si institucione të republikës qëndrim të tillë. Mund ta ketë thënë ndokush prej qytetarëve, por jo edhe institucionet e Republikës”, ka thënë Kurti ndër të tjera.
Pos tjerash, ai s’e ka përmendur në asnjë moment si qëndrim zyrtar të Republikës së Kosovës reagimin e Presidencës. Vetëm atë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dhënë deklaratën që paraqet qëndrimin e Qeverisë së Kosovës. Duhet ta synojmë të vërtetën dhe kurrsesi tensionimin, pra le të zbardhet rasti. Janë organet përkatëse që e bëjnë këtë gjë”, ka deklaruar ai.
Shefi i Qeverisë ka shfrytëzuar po ashtu ironinë për ta zgjatur deklaratën e tij lidhur me të njëjtën pyetje.
“Kryeministri Mickoski dhe unë nuk mund ta bëjmë tash edhe zyrtarin doganor edhe policin hetues edhe inspektoratin e policisë, edhe atë që e mbikëqyrë aeroportin e kështu me radhë. Unë besoj që sa i përket thelbit të gjësë, tashmë jemi përgjigjur dhe masat do të ndërmerren”.
Presidenca e Kosovës në ditën kur ndodhi incidenti ka bërë një reagim zyrtar, që përfaqëson edhe qëndrimin e shtetit. Ata kanë pretenduar se sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin presidentes Osmani, gjë që sipas tyre bie ndesh me praktikat diplomatike. Tutje, ata kanë pretenduar se sigurimi ka tentuar ta pengojë fizikisht presidenten.
“Nuk është e vërtetë se Presidentja nuk ka pranuar ta skanojë çantën e saj të dorës. E para, Presidentja nuk ka pasur bagazh siç propagandohet në reagime të shumta në media, në Maqedoninë e Veriut. Pra, është gënjeshtër se ajo ka refuzuar t’i kontrollohet bagazhi. Ajo ka pasur një çantë të dorës personale të cilën menjëherë e ka vendosur në skaner, edhe pse sigurimi, sipas praktikave e konventave ndërkombëtare, nuk kishte të drejtë të kërkonte një gjë të tillë. E vetmja gjë që Presidentja nuk ka pranuar ta dorëzojë ka qenë telefoni i saj”, u tha në reagimin e Presidencës.
Presidenca në reagimin e tyre – pjesë e cila është zhvlerësuar në tërësi nga kryeministri Kurti, pavarësisht se paraqet qëndrimin e Republikës së Kosovës – e quajnë një veprim të tillë të sigurimit “sulm ndaj Republikës së Kosovës” dhe “provokim të pastër”.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në konferencë tha se i vjen keq për incidentin në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Mickoski tha se kur ka fluturime komerciale procedurave i nënshtrohet edhe ai.
Madie ai ceku se nuk e përdor as kalimin në zonën VIP.
“Sipas informacioneve që i kemi nga personat zyrtarë të aeroportit është se ndiqen standarde të qarta dhe procedura ndërkombëtare kur kemi fluturime komerciale, dhe se këtyre procedurave i nënshtrohem edhe unë si kryeministër i Maqedonisë, presidentja e Maqedonisë dhe të gjithë personat zyrtarë që kalojnë pjesën VIP, edhe pse dua të them se unë atë nuk e përdor”.
Ai shtoi se i vjen keq për rastin dhe se nuk dëshiron që të përsëritet. Mickoski tha se presidentja Osmani është e mirëseardhur, madje tha se nëse njoftohet ka “kënaqësinë” që ta pres si nikoqir në aeroport.
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se ka paraqitur kallëzim penal kundër shefit të sigurimit të kryetarit të Kuvendit, në lidhje me incidentit e presidentes Osmani.
“Departamenti për kontroll të brendshëm, hetime kriminale dhe standarde profesionale në MPB, Prokurorisë Publike Themelore kompetente për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit – Departamenti i Specializuar për ndjekjen e krimeve të kryera nga persona me autorizim policor dhe pjesëtarë të policisë së burgut, ka paraqitur kallëzim penal ndaj S. S., shef i Departamentit për sigurinë personale të Kryetarit të Kuvendit për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale të “Rrezikimit të sigurisë” dhe veprën penale “Parandalimi i zyrtarit nga kryerja e një vepre zyrtare.
I raportuari S.S. më 01.08.2024. rreth orës 10:30 në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ka mbërritur në parkingun para zonë VIP me një automjet me drita rrotulluese, ka zbritur nga automjeti dhe e ka hequr armën nga brezi, e ka përgatitur dhe e ka futur sërish në brez, ndërsa policit nga Departamenti i Policisë në vendkalimin kufitar Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, i cili ishte në detyrë para derës së hyrjes VIP, iu drejtua me ton të lartë, e shtyu me të dyja duart dhe duke e kërcënuar, ka penguar punonjësin e policisë si zyrtar në kryerjen e veprimeve të tij zyrtare.
I raportuari S.S. është dërguar në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit nga kryetari i Kuvendit për të tejkaluar keqkuptimin që ka lindur me Presidentin e Kosovës lidhur me procedurat e sigurisë për kontrollin e bagazheve dhe pajisjeve elektronike gjatë fluturimit me fluturime komerciale”, thuhet në njoftim.
Së bashku me dy policë të tjerë të Departamentit për Siguri të Personave, ai hyri në zonë VIP dhe duke u futur në dhomat ku nuk kishte autorizim për lëvizje dhe qëndrim, punonjësit e pranishëm të TAV-Shkup, policë kufirit dhe Departamenti për Mbrojtjen e Personave dhe objekteve të caktuara, ai filloi të kërcënonte jetën e tyre, duke kërkuar që të shoqëronte presidenten me automjet deri në avion.
“Njësiti për kontroll brendshëm në përputhje me kompetencat dhe kompetencat e veta do të paraqesë propozim për fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore ndaj punonjësit të policisë S.S. dhe do të shqiptojë masa të detyrueshme për largim nga vendi i punës – pezullim deri në përfundimin e procedurës disiplinore, ndërsa ndaj punonjësve të policisë S.R. dhe N.B. do të paraqesë Propozim për fillimin e procedurës për shkelje të urdhrit të punës dhe disiplinës për shkak të ekzekutimit të urdhrit të kundërligjshëm, kryerjes së pakujdesshme të detyrave të punës dhe dëmtimit të reputacionit të policisë”, thuhet në njoftimin e MPB-së. /Insajderi.org/