Kanadaja është shteti i parë që pas përshkallëzimit të situatës në veri të Kosovës, ka përditësuar këshillat për udhëtim drejt vendit tonë. Shtetet si SHBA-ja dhe Britania e Madhe ende nuk i kanë të përditësuara këto lista, ndonëse para tensioneve kanë kërkuar nga shtetasit e tyre që t’i shmangin vizitat në komunat veriore.
E përditësuar më 29 maj, ditën kur u sulmuan 30 ushtarët e KFOR-it nga protestuesit serbë në komunat veriore, lista e këshillave për banorët e Kanadasë është që të shmangen hapësirat me prezencë të Policisë së Kosovës dhe misionit të KFOR-it, raporton Gazeta Insajderi.
“Forcat e NATO-s dhe Policia e Kosovës kanë bllokuar qasjen në objektet komunale në disa komuna të caktuara në veriun e Kosovës, pas mosmarrëveshjeve rreth bojkotimit të zgjedhjeve në komunitetet etnike shumicë serbe. Prezenca e shtuar e NATO-s dhe e Policisë së Kosovës është në këto komuna: Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut”, thuhet në uebfaqen e Qeverisë së Kanadasë.
“Nëse shkoni në Kosovën veriore përkundër këtij këshillimi, shmangni zonat me prani të shtuar të NATO-s dhe Policisë së Kosovës pasi tensionet mund të përshkallëzohen me shpejtësi dhe mund të ndodhin shpërthime të dhunshme”, vijon këshilla e ekzekutivit të Kanadasë.
Siç përshkruhet nga autoritetet kanadaze, “tensionet mund të përshkallëzohen me shpejtësi dhe kapaciteti i autoriteteve lokale për të zbatuar ligjin mund të jetë i kufizuar”.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar për sqarime shtesë autoritetet kanadeze, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka marrë përgjigje.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, përgjatë një interviste për Euronews Albania dje ka thënë se turistët po anulojnë vizitat e tyre në Kosovë, pas situatës së krijuar në veri.
“Unë do dëshiroja të kishte diçka pozitive, por nuk mund të shikoj asgjë pozitive pasi për herë të parë pas shumë vitesh, e kemi Kosovën si vatër krize në të gjitha mediat ndërkombëtare. Tashmë kanë filluar të bëhen publike anulimet e vizitave të turistëve nga shtetet europiane gjithandej, duke u frikësuar mos vinë në një mini-Ukrainë”, ka deklaruar Krasniqi.
Për këtë është kontaktuar Krasniqi për ta sqaruar më tej këtë deklaratë, por kryetari i PDK-së nuk iu është lajmëruar Insajderit.
Mediumi ka pyetur ambasadën e Britanisë së Madhe në Kosovë nëse janë në dijeni për anulime vizitash në Kosovë nga vizitorët britanikë pas situatës së tensionuar në veri. Nga kjo ambasadë kanë thënë se nuk janë njoftuar për një gjë të tillë, teksa kanë potencuar se nuk është përditësuar lista e këshillimeve për britanikët që ia mësyjnë Kosovës.
“Ne nuk i kemi përditësuar këshillat e udhëtimit. Këshillat kundër të gjitha udhëtimeve, përveçse për nevoja të veçanta, në komunën e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit dhe në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës i paraprijnë situatës aktuale. Askush nuk na ka kontaktuar për të na thënë se e kanë anuluar udhëtimin e planifikuar për në Kosovë”, deklaron një zëdhënës i ambasadës britanike në Kosovë për Insajderin.
SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re, përpara përshkallëzimit të tensioneve në veri të vendit, në listat e këshillimit të shtetasve të tyre iu kanë bërë thirrje që të shmangen vizitat në komunat veriore. Madje, atyre iu kërkohet që të mos shfrytëzojnë hyrjet kufitare në Leposaviq dhe në Zubin Potok. /Insajderi.org/