Mungesa e ujit në Green Coast- Shpërthejnë reagimet kundër Samir Manes - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mungesa e ujit në Green Coast- Shpërthejnë reagimet kundër Samir Manes

    Insajderi
    30 July 2024 - 19:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Resorti luksoz “Green Coast” buzë plazhit të kristaltë të Palasës në detin Jon ku çmimet për një natë kalojnë shumën 1500 euro, është duke pasur problem me furnizim me ujë.

    Një prej resorteve më luksoze në rajon që është ndërtuar nga oligarku Samir Mane është duke i lënë klientët pa ujë. Disa klientë janë ankuar për mungesë të furnizimit më ujë gjatë orarit të natës. Kryesisht nga ora 01:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit. Kjo është konfirmuar edhe nga administrata e resortit.

    Në email-at që administrata e “Green Coast” ua ka dërguar klientëve për t’i njoftuar për reduktimet gjatë orarit të natës e ka cilësuar si “situatë emergjente”.

    Të nderuar banorë, Në kuadër të masave të marra deri më tani për përballimin e situatës së emergjencës ju njoftojmë se sot do të ketë ndërprerje të furnizimit me ujë pas mesnatës për disa orë, konkretisht në orarin 01:00-06:00”, thuhet në njoftimin zyrtar të resortit Green Coast.

    Problemet me furnizim me ujë kanë filluar nga data 21 korrik, thuhet në njoftim.

    Problemin me furnizim të ujit e kanë konfirmuar edhe për Gazetën Insajderi nga administrata e “Green Coast”.

    Fillimisht, në një përgjigje zyrare ata kanë konfirmuar problemin duke treguar se ndërprerjen janë të shkurtra dhe gjatë natës.

    “Nuk ka probleme me furnizimin e njesive me ujë gjate diteve. Si mase rezerve kompleksi furnizohet edhe me bota uji per te shmangur cdo mungese te mundshme. Nderprerjet gjate nates jane te shkurtra, koha qe duhet per te kaluar te sistemin e depozitës” thuhet në përgjigje.

    Më pas, problemin me furnizim me ujë të pijshëm në këtë zonë ia bartin qeverisë duke thënë se është kompetencë e qeverisë për të menaxhuar furnizimin me ujë.

    “Ne vijim te emailit te meparshem ju informojme se menaxhimi i furnizimit me uje te pijshem eshte kompetence vetem e qeverise dhe masat e marra per te krijuar rezerva synojne te shmangin keto mungesa”, thuhet më tej në përgjigje.

    Lidhur me këtë, kanë shpërthyer kritikat ndaj oligarkut Saimir Mane. Aktivisti Adriatik Lapaj, duke thënë se punonjësit e Manes kanë dhunuar fshatin Dukat për t’ua marrë ujin.

    “Samir Mane, deri sot nuk të kam përmendur kurrë, pasi nuk më rezultoje i ngatërruar në tendera publikë”, ka shkruar ai në ‘Facebook’.

    “Unë sot po të drejtohem në vetë të parë, me emër e mbiemër, sepse punonjësit e tu kanë dhunuar banorët e fshatit Dukat për t’u marrë ujin. Kjo është vijë e kuqe dhe askush nuk duhet t’ia lejojë vetes ta kalojë”.

    “Ti nuk mund të mendosh se, meqë ke para, mund të sillesh si pronar i Republikës. Tërhiqu nga Dukati! Mos e vazhdo atë aventurë! Ujin për banorët e kompleksit tënd gjeje ku të duash! Ta mendoje kur e ndërtove dhe e shite sa frëngu pulën”, përfundon postimi i tij.

    Shumë klientë janë ankuar në rrjete sociale për kushte në resortin luksoz “Green Coast”. Në rrjete sociale kanë publikuar edhe e-mail me njoftimet për reduktime të ujit.

    Ata u shprehën të revoltuar se po paguajnë 1 mijë euro për një natë dhe po përballen me mungesë të ujit.

    Çmimet në këtë resort janë tejet të larta. Pas një kërkim në “Booking” çmimi i një vile për një natë është mbi 1 mijë e 500 euro. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark