×
  • Lajme
  • Lajme

    Mungoi deputeti, dështon seanca ndaj mërgimtarit që dyshohet se kanosi Dimal Bashën

    Insajderi
    10 July 2024 - 12:13
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Për shkak të mungesës së deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është shtyrë seanca e paraparë për të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku mërgimtari Bajram Isufi akuzohet se e kanosi atë (deputetin).

    Gjykatësi Dibran Isufi nuk përmendi arsyen e mungesës së deputetit, mirëpo ritheksoi se është arritur marrëveshja për pranimin e fajësisë mes Prokurorisë dhe të akuzuarit Isufi, ashtu siç ishte përmendur në seancën e kaluar.

    Edhe në seancën e mbajtur më 18 mars 2024, gjykimi ishte shtyrë për shkak të mungesës së të akuzuarit Isufi dhe deputetit Basha, raporton “Betimi per Drejtësi”.

    Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 shkurt 2024, thuhet se i akuzuari Bajram Isufi me banim në Gjermani, përmes rrjetit social “Facebook” me qëllim të frikësimit e ka kanosur seriozisht deputetin Dimal Basha në lidhje me punën dhe pozitën e tij, duke i shkruar mesazh në Facebook me fjalët “te kqyrum kujna po i shkon e kujt jo o p** n*! Plumba për tradhëtar të kombit ka me pas gjithë dhe ko me pas! Perhajr ju koft tash edhe rune prapani dhe familjen se tash e tutje s’dihet se ku ka me ju kersit!”.

    Po ashtu, thuhet se i ka shkruar edhe mesazh tjetër me fjalët: “mos ha fort se bonbën në gojë ta shtijn gjinja, i vonshëm je ti”. Këto mesazhe, sipas Prokurorisë i kanë shkaktuar frikë dhe ankth deputetit Basha.

    Andaj, me këto veprime Isufi po ngarkohet me veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark