Pacientë të Spitalit të Pejës janë ankuar për mungesën e një medikamenti esencial. Një lloji të antibiotikut “Imipenem” që përdoret për trajtim të infeksioneve të rënda bakteriale. Për mungesën e tij, sqarim për Gazetën Insajderi kanë dhënë nga Spitali i Pejës.
“Po më duhet ta marrë dy herë në ditë, nuk e kuptojë si mungon”, i ka thënë njëri prej tyre Insajderit.
“8 euro po kushton, për xhep temin është shumë se veç me social po jetojë”, i tha një tjerët qytetar Insajderi.
Në bisedë me Insajderin, të njëjtit kishin ngritur dyshimet se bari ndodhet nëpër sirtarët e spitalit, por që nuk po iu jepet.
Këtë e kanë mohuar nga spitali, duke shtuar se kanë mungesë të një lloji, e që pacientët janë furnizuar me aq sa ka pasur sasi.
“Spitali i Përgjithshëm në Pejë me kohë ka bërë planifikimin për furnizim për vitin 2024. Për këtë lloj antibiotiku deri më tani kemi marrë 3/4 e planifikimit vjetor pra, TM1, TM2 dhe TM3. Furnizimi i deritanishëm për këtë vit me këtë ilaç e kemi pasur 7500 copa”.
“Ende nuk jemi furnizuar me TM/4. Pra nuk është liferuar sasia për muajt: Tetor, Nëntor dhe Dhjetor e që është në sasinë e 2.500 copa”.
Madje thonë se për këtë mungesë aktuale i janë drejtuar QKUK-së të cilët i kanë suportuar me 100 fllakona të cilët i kanë shpërndarë tek pacientët.
“Shpresojmë që të kemi shpejtë furnizimin e rregullt pasi që ky medikament është në Listën Esenciale”, thuhet në përgjigjen e tyre për Insajderin.