Mungon dëshmitarja bashkëpunuese, dështon gjykimi në rastin e “patentë shoferëve” - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mungon dëshmitarja bashkëpunuese, dështon gjykimi në rastin e “patentë shoferëve”

    Insajderi
    10 January 2025 - 14:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në mungesë të dëshmitares bashkëpunuese Adelina Gashi, të premten ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin e njohur si “patentë shoferët”.

    Në këtë seancë ishte paraparë të dëgjohet dëshmia e dëshmitares bashkëpunuese Adelina Gashi, për të cilën kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dërmaku ka thënë se janë njoftuar nga Policia e Kosovës se dëshmitarja bashkëpunuese jeton në Republikën e Sllovenisë dhe të njëjtën e kanë njoftuar për mbajtjen e seancës, por kjo e fundit ka thënë se për shkaqe shëndetësore të djalit të saj nuk mund të jetë prezente në seancën e sotme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Lidhur me këtë, prokurori i rastit Eset Rama ka thënë se do të insistojmë përsëri që ta sigurojmë prezencën e dëshmitares bashkëpunuese në seancën e radhës, dhe nëse kjo formë nuk është e mundur, atëherë do të provojmë përmes rrugëve të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

    Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Enver Fazliu, avokati Bekim Kafexholli ka thënë se edhe në seancën e kaluar e kanë kontestuar legjitimitetin e marrjes në pyetjen të dëshmitares bashkëpunuese ngase e njëjta është marrë në kundërshtim me KPRK-në si dhe kjo dëshmi është marrë përmes video-linkut pa prezencën e organeve kompetente në vendin nga është marrë deklarata.

    I njëjti shtoi se edhe nëse sigurohet prezenca e dëshmitares bashkëpunuese Gashi, dëshmia e saj nuk do të prodhojë efekt juridik.

    Po ashtu, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Naser Llugaliu, avokati Hamdi Ibrahimi, i ka propozuar gjykatës që të marrë vendimi ashtu që të bëjë revokimi i vendimit për shpalljen e Adelina Gashit si dëshmitare bashkëpunuese.

    Ky propozim i avokatit Ibrahimi, u refuzua nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dërmaku.

    Ndryshe, në seancën e 14 qershorit 2023, 28 nga 31 të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën e ngritur më 31 mars 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

    Në këtë rast, për korrupsion dhe vepra tjera penale akuzohen: Naser Llugaliu, Filloreta Ajvazi, Flora Ferizi, Adem Binakaj, Leurat Shehu, Agim Restelica, Flamur Lekaj, Shaban Zuka, Eduard Brahimaj, Dragan Zhivkoviq, Naser Bislimi, Azem Miftari, Labinot Ajeti, Magbule Mehmeti, Avdush Topalli, Pemtim Topallli, Selim Rrustemi, Fatos Ferizi, Besfort Pozhegu, Naim Thaqi, Sylë Bejta, Ekrem Latifi, Dritmir Islami, Murtez Rama, Hasan Hasani, Milazim Demolli, Lindita Hoxha, Enver Fazliu, Burim Jashari, Fejzullah Ejupi dhe Bashkim Jetullahu.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark