Mungon Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj, dështon të nisë gjykimi për korrupsion - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mungon Faruk Mujka dhe Hysen Muzliukaj, dështon të nisë gjykimi për korrupsion

    Insajderi
    08 October 2025 - 10:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë të të akuzuarve: Faruk Mujka- kryeshef ekzekutiv në Ndërmarrjen Hidro-Ekonomike “Ibër-Lepenc” dhe Hysen Muzliukaj- ish-drejtor për Gjeodezi në Mitrovicë.

    Sipas aktakuzës, Mujka në cilësinë e nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, ndërsa Muzliukaj në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë në atë komunë, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare lidhur me rastin e këmbimit të pronës së ish-Bankosit me pronë private. Ndërkaq, Mujka akuzohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë, me arsyetimin se në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të Ibër-Lepencit nuk i deklaroi 60 mijë e 50 eurot që iu sekuestruan në shtëpi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra tha se i akuzuari Mujka nuk është i pranishëm në seancë edhe pse Gjykata ia ka dërguar ftesën për seancën e sotme, por deri tash nuk ka dëshmi që i njëjti e ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt.

    Kurse, për Muzliukajn, gjykatësja tha se Gjykata ia ka dorëzuar ftesën por deri tani s’ka dëshmi nga shërbimi postar se i njëjti e ka pranuar ftesën me rregull.

    Gjykata konstatoi se në mungesë të të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre, nuk ka kushte për të vazhduar me shqyrtimin fillestar.

    Gjykatësja tha se për të akuzuarit do të vlerësojë nëse kanë pranuar ftesat dhe do të veprojë sipas dispozitave të procedurës penale, e që nëse është e nevojshme do të lëshohet edhe urdhëresë për sjellje me detyrim në seancë.

    Në seancë e pranishme ishte vetëm përfaqësuesja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), Dhurata Bytyqi.

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 9 shtator 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt të cilët akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Mujka ngarkohet edhe për mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark