
Ministrat e Mbrojtjes Europiane që mbajtën këtë të premte një takim urgjent ranë dakord për të ndërtuar një “mur dronësh” përgjatë kufinjve të tyre me Rusinë dhe Ukrainën, me synim që të ndjekin dhe neutralizojnë dronët që shkelin hapësirën ajrore Europiane.
Një mur dronësh nënkupton se Unioni 27 anëtarësh do të investojë në drone monitorimi dhe sisteme teknologjike të bllokimit të valëve për këto pajisje në mënyrë që të përballojë çdo kërcënim.
Vendimi vjen pas një sërë incidentesh, ku kufijtë dhe aeroportet evropiane janë testuar nga dronë të paautorizuar. Për disa prej tyre është akuzuar Rusia, e cila megjithatë mohon përfshirjen.
“Rusia po teston BE-në dhe NATO-n, dhe përgjigjja jonë duhet të jetë e fortë, e bashkuar dhe e menjëhershme,” deklaroi Komisioneri i Mbrojtjes së BE-së, Andrius Kubilius, pas një takimi virtual me 10 vende të krahut lindor të Evropës, ku morën pjesë edhe zyrtarë ukrainas dhe të NATO-s.
Kubilius tha se ngritja e murit të dronëve mund të zgjasë rreth një vit dhe se së shpejti do të përgatitet një “hartë rrugore teknike dhe konceptuale”. Prioritet mbetet krijimi i një sistemi të fuqishëm zbulimi. Ky projekt pritet të diskutohet në samitin e Kopenhagës javën e ardhshme dhe më pas sërish në tetor në Bruksel.
Vendet Baltike dhe Polonia kishin punuar më herët për këtë nismë, por Komisioni Evropian refuzoi në mars një kërkesë për financim nga Estonia dhe Lituania. Ndërkohë, incidentet e fundit e kanë shtyrë çështjen në krye të axhendës.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha këtë muaj se Evropa duhet të ndërtojë një mur dronësh, duke e përshkruar atë si “bazën e një mbrojtjeje të besueshme”. Ajo shtoi se BE do të vërë në dispozicion 6 miliardë euro për krijimin e një “aleance dronësh” me Ukrainën, e cila ka përdorur këto mjete pa pilot për të shkaktuar rreth dy të tretat e humbjeve të pajisjeve ushtarake ruse.