Murati dhe Qeveria e idhnakëve dinë edhe më zi - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Murati dhe Qeveria e idhnakëve dinë edhe më zi

    Insajderi
    26 December 2024 - 12:50
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Për tri ditë me radhë Ministri Murati bashkë me Kryeministrin Kurti e me bashkëpunëtorë kishin numëruar qindra milionat e mbetura në buxhet dhe në këshillim me Elvisin, Ramabajën, Dimalin e me ekspertë të tjerë u pajtuan që  të shpërndajnë ca milionë euro dhe menduan  se do t’u ndez ky veprim me fëmijët dhe pensionistët. Murati priti se fëmijët kudo në Kosovë do të dalin në oborret e shkollave e do ta brohorisin emrin e tij, por kjo nuk ndodhi.  Hekurani mendoi se pensionistëve do t’u duket sa bjeshka ky 100 euro dhe do t’u shihet buzëqeshja bile një herë në vit, por as kjo nuk ndodhi. Në vend të entuziazmit, brohoritjeve e falënderimit  pati e vazhdon të ketë reagime dhe kundërshtime për këtë ndihmë.

    Shkruan: Rrahman Jasharaj

    Për t’ia hequr pikëllimin e mllefin Hekuranit po i tregoj se ka aty e këtu fëmijë e pensionistë që u gëzuan shumë për këtë dhuratë. Një fëmijë në Pejë më ndali në rrugë dhe plot gaz me tregoi se me ato 100 euro do të blej  drita dekoruese, bredh dhe balona. Më tha se në balona do të shkruaj emrin Hekuran.

    Murati duke parë se nuk ndezi  ideja e shpërndarjes së milionave u hidhërua dhe zbuloi një formular, që nuk e ka kush në botë. Kush nuk gëzohet dhe nuk  falënderon Qeverinë për këtë dhuratë prej 100 euro, mos t’i merr ore. Besoj se ky nuk është zbulimi i fundit i tij, por ju lus mos e hidhëroni më shumë  Hekuranin se këtë formularin e ka në plan ta përdor edhe në fund të janarit  sepse për ngritjen ironike prej 55 euro kishte shumë kundërshtime e reagime. Në këtë formular do t’u thotë të punësuarve në sektorin publik, pra punëtorëve të arsimit, policisë, zjarrfikësve, të punësuarve në shëndetësi, administratës e të tjerëve se kush e përbuz  rritjen prej 55 euro  mos t’i merr, bile mund të heq dorë edhe nga e tërë paga.

    Kjo Qeveri është e idhnakëve dhe nuk çanë kokën çka thotë populli e çka është demokracia, por vendos vet se kë ta shpërblej e kë ta ndëshkoj. Mos harroni se kjo Qeveri i nxiti qytetarët që të heqin dorë nga ngrohja me dru e pelet po të orientohet në aparatura moderne me rrymë madje edhe duke premtuar subvencionim të  një pjese të pagesës për to. Tash rrymë nuk ka sa duhet dhe do të nxehemi me batanije e do të hamë bukë me konserva.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark