
Hekuran Murati, ministri në detyrë i Financave, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kryeministrit Isa Mustafa, i cili risolli në vëmendje vendimin e tij për të shkarkuar disa zyrtarë të LDK-së që ishin bërë deputetë pas zgjedhjeve të vitit 2017, si shembull të kundërt me veprimin e sotëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një postim në Facebook, Murati theksoi se shkarkimet dhe lirimi i zyrave në atë kohë nuk kishin të bënin me respektimin e nenit 72 të Kushtetutës, siç sugjeron Mustafa, por me faktin se LDK nuk pritej të ishte pjesë e qeverisë së ardhshme.
“Qeveria Mustafa ishte shkarkuar me mocion mosbesimi me datë 10 maj 2017. Mocioni ishte mbështetur edhe nga partneri i atëhershëm i koalicionit, PDK-ja. Të gjendur përballë kësaj situate e të tradhtuar nga partneri i koalicionit, në LDK asokohe ishte diskutuar nëse të gjithë ministrat e LDK-së duhej të tërhiqeshin nga postet qeveritare, menjëherë pas mocionit. Në një situatë të ngjashme, kur LDK kishte dalë nga Qeveria në vitin 2010 pas dorëheqjes së Presidentit Sejdiu, partia ishte akuzuar se kishte braktisur institucionet. Duke e marrë parasysh reagimin e publikut në situatën e vitit 2010, LDK kësaj radhe kishte vendosur që ministrat të qëndrojnë nëpër pozita deri në përfundim të zgjedhjeve – që të mos akuzoheshin për braktisje të institucioneve”, shkroi Murati.
Pas zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, sipas Muratit, rezultati e bëri të qartë që LDK nuk do të ishte pjesë e qeverisë së ardhshme: “Koalicioni PAN kishte dalë i pari, Lëvizja Vetëvendosje e dyta, ndërsa LDK e treta”.
Pikërisht për këtë arsye, thotë Murati, erdhi edhe lirimi i zyrave nga ana e ministrave të LDK-së.
“Kjo ka qenë arsyeja pse ministrat e LDK-së kishin liruar zyret, sepse ishin të shkarkuar nga Kuvendi, dhe nuk pritej që do të vazhdonin në qeverinë e ardhshme. Jo për shkak të nenit 72 të Kushtetutës”, përfundoi Murati.