×
  • Lajme
  • Lajme

    Murati pas zbutjes së dënimit kundër “Calit”: Nuk mund të zbutet padrejtësia e gjykimit të çlirimtarëve

    Insajderi
    10 September 2024 - 20:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Valon Murati, kryetar i Lëvizjes për Bashkim, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë që t’ia zbusë dënimin Salih Mustafës, nga 22 në 15 vite heqje lirie.

    Murati, përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se “nuk ka zbutje dënimi që mund të zbus padrejtësinë e gjykimit dhe dënimit të çlirimtarëve”.

    Lufta çlirimtare e prirë nga UÇK-ja është nën goditje gjithandej. Por aq sa era rrëzon malet, aq kjo furtunë politike mund ta gjunjëzojë luftën tonë të drejtë në raport me historinë dhe me të ardhmen. Dje, sot e nesër me Calin dhe bashkëluftëtarët që gjenden në Hagë”, ka shkruar Murati në ‘Facebok’.

    Gjykata e Apelit në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë ia ka ulur dënimin për krime lufte Salih Mustafës.

    “Cali” ishtë dënuar me 26 vjet burgim, pastaj Apeli ia kishte ulur në 22. Vendimi i fundit pas rikthimit në Apel thotë se “Cali” tashmë është i dënuar me 15 vjet burgim.

    Gjegjësisht, në vendimin e fundit Apeli ia uli shtatë vite burgim.

    Në parashtresën e publikuar të martën nga Dhomat e Specializuara, në aktvendim thuhet se kolegji i gjyqtarëve që caktuan masën e dënimit prej 22 vitesh dënuan disproporcionalisht me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.

    “Pas përcaktimit të këtyre dënimeve individuale, Kolegji i Apelit konstaton më tej se dënimi i vetëm prej 22 vitesh burgim i shqiptuar nga Kolegji i Apelit është jashtë proporcionit të arsyeshëm në dritën e diapazonit të dënimit të identifikuar, jurisprudencës së analizuar dhe rrethanave specifike të rastit të Mustafës. Rrjedhimisht, Paneli konsideron se një dënim i vetëm prej 15 vitesh burgim, me meritën për kohën e vuajtur që nga arrestimi i tij më 24 shtator 2020, pasqyron tërësinë e sjelljes kriminale të Mustafës në këtë rast”, thuhet në aktvendim.

    “Në fund, Kolegji i Apelit rithekson se krimet për të cilat është dënuar dhe dënuar Mustafa janë të rënda dhe përcaktimi i tij i ri mbi dënimet nuk e zvogëlon peshën e krimeve“, vijon aktvendimi.

    Mustafa, ishte dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës Speciale me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

    Më pas, dënimi ishte zbutur në 22 vite në një shqyrtim paraprak të Gjykatës së Apelit. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark