
Hekuran Murati, deputeti i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se s’do të lëkund nga propozimi i tyre për emrin e kryetarit të Kuvendit.
Murati ka thënë duke cituar Kushtetutën se ekskluziviteti për propozimin e emrit i takon partisë fituese, shkruan Insajderi.
“Partitë opozitare vazhdojnë bllokadën në konstituimin e Kuvendit. Kushtetuta është mjaft e qartë, thotë se është e drejtë ekskluzive e partisë fituese që ta propozojë kryetar kuvendi. Ne çdoherë kemi qenë dëshmitarë që edhe votat për kryetarin e Kuvendit ka qenë vota të të gjitha subjekteve sepse kështu kërkohet nga Kushtetuta.
E pamë edhe sot, ngjashëm siç ishte rasti me verifikimin e raportit të mandatave, ku opozita votoi kundër dhe pastaj në fund ndryshuan qëndrim, mirëpo vendi u desh që t’i humb katër ditë që të votojnë një raport i cili është procedural. E njëjta gjë është edhe për kryesinë e Kuvendit”, deklaroi Murati.
“Kandidati jonë, siç edhe e përmendi Glauk Konjufca, vazhdon të jetë Albulena Haxhiu. Kjo kandidate është propozim i partisë fituese, e cila është e drejtë ekskluzive që na e garanton Kushtetuta. Këtë e përmendi edhe z. Konjufca, pra nevojitet, meqenëse po shihet qartë se partitë opozitare nuk e kanë ndërmend të ecin tutje, duhet ndoshta që të ulemi… Po shihet për çdo hap duhet të ketë një koncensus politik.
Emri dhe propozimi i takon partisë fituese. Kjo është çështja, ne e propozojmë kandidatin dhe është e udhës që kandidati për kryetar dhe nënkryetar të mbështetet nga të gjithë deputetët.
Shpresoj që gjatë ditëve të ardhshme opozita të reflektojë, ngjashëm siç bëri me procesin e verikimit të mandatëve”, përfundoi ai. /Insajderi.org/