BE: Muri në Mitrovicë duhet të rrënohet - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    BE: Muri në Mitrovicë duhet të rrënohet

    Insajderi
    25 January 2017 - 20:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Bashkimi Evropian ka thënë së muri  i ndërtuar në Mitrovicë duhet të rrënohet, duke sqaruar kështu deklaratën e bërë nga shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, e cila më herët gjatë ditës kishte thënë se lidhur me këtë çështje duhet gjetur një zgjidhje që do të ishte funksionale për të gjitha palët.

    “Sa i përket murit ne Mitrovicën e Veriut, gjatë takimit me Ministrin Ferat Shala, Ambasadorja Apostolova pyeti në lidhje me procedurat ligjore dhe hapat e nevojshëm për zgjidhjen e murit në Mitrovicë. Qëndrimi i BE-se siç është potencuar publikisht në disa raste është qe muri duhet të rrënohet. BE-ja është për ndërtimin e urave dhe jo mureve”, ka thënë Dinka Zivalj, zëdhënëse e Zyrës së BE-së në Kosovë.

    Para këtij reagimi, Insajderi ka raportuar se Qeveria e Kosovës mund të mos ketë përkrahjen e BE-së në zotimin e saj për rrënimin e murit në veri. Artikulli është bazuar në deklaratën e Apostolovas, e cila përveç faktit që nuk përmend rrënimin e murit, përmend nevojën për zgjidhje funksionale për të gjithë.

    “Ambasadorja Apostolova e theksoi nevojën për gjetjen e një zgjidhjeje për murin në Veri të Mitrovicës, që do të ishte funksionale për të gjithë”  thuhet në një komunikatë të dërguar pas takimit që Aposotolva ka pasur me Ministrin e Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala.

    Megjithatë, një zgjidhje që do të kënaqë të dy palët është vështirë e realizueshme. Derisa pala kosovare insiston që muri të rrënohet plotësisht, një gjë e tillë është kundërshtuar nga pala serbe.

    Kosova dhe Serbia janë marrë vesh në gusht të vitit të kaluar për revitalizimin e urës së Ibrit dhe krijimin e kushteve për lëvizjen e lirë në atë pjesë. Por, kjo urë nuk është hapur ende edhe pse afati i fundit ka qenë 20 janari./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark