“Muri” kundër murit të Donald Trump. Roger Waters, bashkëthemeluesi i bandës muzikore rock n’roll, Pink Floyd thotë se albumi i tyre ikonik, “The Wall (shqip. Muri), i publikuar më 30 nëntor të 1979, është aktual tani më shumë se kurrë.
73-vjeçari e bëri këtë deklaratë duke iu referuar zgjedhjes së Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe planit të Presidentit për të ndërtuar një mur në gjithë vijën kufitare me Meksikën.
Waters, që ndodhej në Londër së bashku me bateristin Nick Mason, tha se po konsideronte mundësinë e kryerjes së një koncerti në kufirin mes SHBA dhe Meksikës, pikërisht aty ku Donald Trump planifikon të ndërtojë murin.
“Por, para se kjo të ndodhë, së pari duhet të ketë një zgjim të shoqërisë, të të gjithë njerëzve kundër këtyre politikave të ekstremit të djathtë”, tha ai.
Waters dhe gjithë banda kanë dalë që herët kundër Donald Trump. Në tetor, kur fushata presidenciale në SHBA kishte hyrë në kulmin e saj, ata zhvilluan një koncert në Mexico City, ku shfaqën një imazh të madh të miliarderit të shndërruar në President, mbi të cilin shkruhej “Maskaradë”.
Protesta e Pink Floyd u pasua me imazhin e Donald Trump me përshëndetjen naziste, gjatë këngës së “Pigs”.