
Kongresmenët demokratë në Shtetet e Bashkuara publikuan një sërë dokumentash të reja të lidhura me rastin e Jeffrey Epstein, financierit të dënuar për abuzim seksual, ku përmenden emra të figurave të njohura si njeriu më I pasur në botë Elon Musk dhe Princi Andrew i Britanisë.
Sipas dokumenteve të dorëzuara në Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve nga pasuria e Epstein, Musk ishte ftuar të vizitonte ishullin privat të Epstein në dhjetor të vitit 2014. Në një shënim të datës 6 dhjetor 2014 shkruhej: “Kujtesë: Elon Musk në ishull më 6 dhjetor (a do të vijë ai?)”. Musk ka deklaruar më parë se kishte marrë ftesë, por e kishte refuzuar atë.
Në përplasjen e tij këtë vit me Donald Trump, Elon Musk akuzoi kreun e Shtëpisë së Bardhë se po tentonte të fshihte këtë çështje.
Ndërkohë, një list pasagjerësh për fluturim nga muaji maj I vitit 2000 tregon se Princi Andrew ka udhëtuar me avion nga Nju Xhersi në Florida, së bashku me Epstein dhe bashkëpunëtoren e tij Ghislaine Maxwell – e cila më vonë u dënua për trafik seksual. Një regjistër financiar i redaktuar përmend gjithashtu pagesa për “masazhe për Andrew” në shkurt dhe maj të vitit 2000. Duka I Jorkut mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në veprimtari të paligjshme.
Në dokumentet e publikuara gjenden edhe takime të planifikuara me figura të tjera të njohura, përfshirë sipërmarrësin Peter Thiel, ish-këshilltarin e Donald Trump, Steve Bannon, si dhe një aktivitet të mundshëm me themeluesin e Microsoft, Bill Gates. Gates më herët e ka cilësuar gabim kontaktin e tij me Epstein. Demokratët kërkuan publikimin e më shumë dosjeve, duke argumentuar se çdo dokument i ri ndihmon për të hedhur dritë mbi lidhjet e Epstein me njerëz të fuqishëm dhe për të sjellë drejtësi për viktimat. Republikanët, nga ana tjetër, akuzuan demokratët se po përdorin çështjen për përfitime politike, duke premtuar se së shpejti do të publikojnë të gjitha dokumentet.
Jeffrey Epstein vdiq në gusht 2019 në një burg në Nju Jork, ku po priste gjyqin për trafik seksual të të miturve./abcnews.al