Jeton Musliu, redaktori i lajmeve qendrore në RTK, ka zbuluar prapa skenat e lajmit të “Slobodna Bosna”, përmes të cilit pretendohej se dy portalet, Nacionale dhe Periskopi financohen nga Serbia.
Duke konfirmuar se kishte presion të vazhdueshëm nga Rilind Gërvalla, drejtor i TV, dhe Leonora Bërbatovci, ai u distancua nga ky lajm.
Për më tepër, ai ka treguar edhe për një rast se si kishte marrë vërejtje pse kishte publikuar një lajm kritik ndaj Qeverisë Kurti, shkruan Insajderi.
Vërejtjen thotë se e mori nga ushtruesja e detyrës së kryeredaktores, Leonora Bërbatovci.
“Për videon për lajmin për kritikën që kryetari i PDK-së, ka pasur në trevjetorin e Qeverisë të publikuar në Facebook, për të cilin kam marrë edhe vërejtje me shkrim nga U.d Kryeredaktorja Berbatovci, përse e kam publikuar, apo përse nuk e kam hequr z. Gërvalla nga video e publikuar nga PDK, apo përse nuk i kam kontaktuar të gjitha ata persona që shihen në video, ndonëse publikime të tilla bëhen vazhdimisht“, shkroi ai në Facebook.
Musliu ka njoftuar se tashmë ka kërkuar të largohet nga pozita e redaktorit të lajmeve qendrore në RTK, përkatësisht risisteminin e tij.
“1-Kërkoj largimin tim te menjehershem nga detyra e redaktorit të lajmeve qendrore në RTK dhe risistemimin tim. 2-Lejimin nga ana juaj të publikimit të sqarimit tim për media ngase situata është tërësisht e padurueshme dhe e papranushme per mua”, ka deklaruar Musliu.