Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se aksioni i mbrëmshëm në veri i organeve të rendit është bërë në koordimin me të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.
Ai ka shtuar se në këso rastesh askush nuk mund të marrë vendime individuale.
“Vendimet janë vendime të Policisë dhe të përgjegjësisë së institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse në raste të tilla nuk merr vendime individuale askush, por institucionet e Republikës së Kosovës e kryejnë punën e vet. Do të thotë ka qenë një aksion i koordinuar, mbi bazat ligjore, ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Mustafa.
Dje presidenti i Kosovës Hashim Thaçi kishte dhënë urdhër që të mos lejohet hyrja e trenit të Serbisë në Kosovë.
Megjithatë, kryeministri thotë se gjithçka dje ka shkuar në bazë të të drejtave dhe përgjegjësive institucionale të Kosovës, duke shtuar se njësoj do të veprojnë çdoherë kur ka provokime nga Serbia.
“Është bërë në bazë të drejtave dhe përgjegjësive të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe institucionet do të ndërmarrin gjithmonë veprime të tilla për ta mbrojtur sovranitetin e vendit dhe për të mos lejuar që mjetet e tilla të cilat provokojnë dhe të cilat kanë porosi okupatore dhe porosi tjera të futen në Kosovë”, ka thënë kryeministri Mustafa./Insajderi.com