Mustafa akuzon opozitën për djegien e veturave - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa akuzon opozitën për djegien e veturave

    Insajderi
    01 March 2016 - 13:10
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sulmet dhe dëmtimi i zyrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës, por edhe djegia e disa veturave të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, janë duke u bërë nga individë të subjekteve, të cilët deri më tash kanë organizuar dhunë dhe protesta”, I ka thënë Radios Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i cili njëherësh është edhe kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Zoti Mustafa tha se veprimet e tilla janë të padrejta dhe janë për keqardhje.

    “Ne e shohim ketë si frustrim të njerëzve nga subjektet, të cilat deri me tash kanë organizuar dhunë dhe protesta, por unë mendoj se kjo është një gjendje e kalueshme, sepse në LDK situata është shumë stabile. Neve nuk na lë përshtypje kjo, por shprehim keqardhje për ata që kryejnë veprime të tilla”, tha Mustafa.

    “E gjithë kjo që ndodhi, e gjithë kjo katrahurë, e gjithë kjo dhunë që ndodhi, jashtë dhe në parlament [po tentohet] t’i faturohet LDK-së, gjë që nuk qëndron, sepse LDK-ja në këtë rast e ka përmbushur një prej detyrimeve të saj që del nga marrëveshja për koalicion”.

    “Edhe Partia Demokratike e Kosovës ka votuar kryeministrin e qeverisë që është i LDK-së. LDK ka siguruar që Kosova të ketë presidentin dhe që institucioinet e Republikës së Kosovës të funksionojnë. Praktikisht ka votuar për shtetin dhe ka votuar që mos të krijojë vakum institucional dhe të mos krijojë hapësirë për dhunë të mëtutjeshme”, u shpreh Mustafa.

    Ditë me parë, persona të panjohur kanë thyer xhamat e zyrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prishtinë dhe disa qytete të tjera.

    Autoritetet e rendit në Kosovë kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se janë duke kryer hetime mbi sulmet që kanë ndodhur në zyrat e LDK-së, por edhe mbi dëmtimin e disa makinave që u takojnë zyrtarëve të qeverisë së Kosovës.

    “Policia e Kosovës, me njësitet e saja relevante, në të gjitha rastet e dëmtimit apo asgjësimit te pasurisë, ndaj zyrave të partisë së LDK-së, menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë te gjitha veprimet e nevojshme policore për hetimin dhe zbardhjen së më parë të këtyre rasteve”.

    “Njëkohësisht Policia e Kosovës po kryen hetime intensive edhe drejt identifikimit dhe arrestimit te personave te dyshuar te përfshirë ne këto raste”, tha zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani, për Radion Evropa e Lirë.

    Ndryshe, partitë politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë zotuar se do të vazhdojnë ta kundërshtojnë presidentin e zgjedhur, Hashim Thaçi, duke e cilësuar atë si “shkelës të Kushtetutës së Kosovës”.

    Ato vazhdojnë ta kundërshtojnë marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, të arritur më 25 gusht, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe atë të shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark