Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë se para propozimeve për poste në qeverinë e tij – Enver Hoxhajt ministër i Jashtëm dhe Hajredin Kuçit si zëvendëskryeministër – nga ana e PDK nuk ka pasur më parë propozime të tjera.
Derisa, javë më parë është folur se Partia Demokratike e Kosovës i ka propozuar Qeverisë edhe Gani Kocin për ministër të Drejtësisë. Çështje kjo e konfirmuar nga vetë Gani Koci.
Megjithatë, numri një i Qeverisë tha se javën e kaluar kanë emëruar ata emra të cilët i kanë marrë si propozime nga partneri i koalicionit, derisa propozime tjera, tha se nuk ka pasur.
“Ne kemi emëruar ministrat të cilët i kemi marrë si propozime nga partneri jonë më i madh i koalicionit. Nuk kemi pas propozime tjera”, tha kryeministri i Kosovës.
Kreu i ekzukutivit të vendit ka thënë se çështja e demarkacionit nuk e rrezikon liberalizimin e vizave për kosovarët.
Sipas tij, ka ende kohë për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje.
“Mendoj se nuk po rrezikohet me këtë, është çështje e kryesisë së Kuvendit, kryesia do të vendosë në kohën që ata e vlerësojnë se duhet të vendosin lidhur me futjen në rend dite të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi”, tha ai.
Këto përgjigje Mustafa ua dha gazetarëve pasi vizitoi Bifurkacionin e Lumit Nerodime në Ferizaj. /Insajderi.com