Takimi i radhës mes Isa Mustafës dhe Aleksandar Vuçiqit në Bruksel mund të përfundojë me qëndrime diametralisht të kundërta mes tyre, por ata kanë një temë të përbashkët për të cilën të dytë ndihen krenar.
Është mbështetja unanime që kanë marrë nga partitë e tyre, brenda një dite.
Krahas mbajtjes së Konventës së Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën e udhëheqë Isa Mustafa, në Serbi është mbajtur Asambleja e Partisë Progresive të Serbisë, të cilën e udhëheq Aleksandar Vuçiq.
Përkundër dallimeve në formën e organizimit, të dy liderët kanë marrë diçka të përbashkët nga partitë e tyre: përkrahjen unanime.
Madje të dy liderët e kanë potencuar këtë me krenari.
Isa Mustafa është mburrur se në Konventën e partisë së tij, janë marë “vendime me përkrahje unanime”, ndërsa Aleksandar Vuçiq është mburrur që ka marrë votat unanime për t’u rizgjedhur kryetar i Partisë Progresive të Serbisë.
Madje Mustafa ka injoruar edhe vleftën e 5 votave kundër, duke i quajtur “demokraci në LDK”.
Megjithatë punët në Kuvendin e partisë së Vuçiqit kanë shkuar pa probleme brenda anëtarëve të tyre, teksa Kuvendi i partisë së Mustafës ka pasur mjaft probleme, pasi anëtarja e kësaj partie, Donika Gërvalla nuk u lejua të hyjë në sallën ku po mbahej Konventa e LDK-së. /Insajderi.com