Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kërkuar shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, dhe të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, nga pozita e kryetares së Komisionit Parlamentar për Bujqësi.
Ai kërkoi në një konferencë për media që ndaj Pecit të nisin hetime penale “për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro grant”.
Mustafa tha se “kjo përbën vetëm një dëshmi se si zyrtarët më të lartë shtetërorë të këtij pushteti po i shfrytëzojnë dhe i shpërdorojnë institucionet publike për të përfituar ata dhe familjarët e ngushtë të tyre nga paratë e taksapaguesve të Kosovës”.
“Ky skandal nuk është aspak i rastësishëm sepse Fitore Pacolli është Kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, komision të cilit i raporton Ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Siç u dëshmua tani më, vëllai i deputetes Pacolli, biznesin e tij e kishte themeluar pas aplikimit për projekt dhe vetëm 4 ditë para nënshkrimit të kontratës, gjë që ngre dyshime të mëdha për montimin dhe orkestrimin e përfitimit të këtij projekti, për motive të cilat duhet të zbardhen nga institucionet e drejtësisë”, tha Mustafa.
Ai tha se ministri Peci do të duhej të raportonte në Komisionin Parlamentar për Bujqësi, por “ngase ka akomoduar interesat e ngushta financiare të familjes së kryetares së këtij Komisioni, Fitore Pacolli”, ajo “nuk e ka kredibilitetin që ta ftojë në raportim”.
“Prandaj, ne kërkojmë shkarkimin e Fitore Pacollit nga pozita e kryetares së këtij komisioni, pasi që konsiderojmë se këtë funksion e ka shfrytëzuar me qëllim të ushtrimit të ndikimit, i cili ka çuar në përfitimin e grantit në vlerë rreth 100 mijë euro nga vëllau i saj. Nga ana tjetër, për ministrin Peci, as dorëheqja e as shkarkimi nuk mjaftojnë. Ndaj tij kërkojmë që të zhvillohen hetime penale për të verifikuar rrethanat nëse i njëjti ka ndikuar që një vëlla i deputetes të përfitojë rreth 100 mijë euro dhe nëse ky përfitim është rezultat i raportit të vartësisë zyrtare që ky ministër e ka me komisionin të cilin e udhëheqë Fitore Pacolli”, tha Mustafa.
Ai tha se skandali thellohet edhe më shumë, kur në të njëjtin afat për grante i është refuzuar përkrahja zonjës Fahrije Hoti, si njëra prej grave heroina të Krushës.
Në fund, Mustafa tha se tash kur zgjedhjet parlamentare mbahen edhe pak muaj “ky pushtet edhe mund t’i ikë përgjegjësisë për të dhënë llogari në Kuvendin e Kosovës, por nuk mund t’i ikë llogaridhënies para qytetarëve më 9 shkurt”. Atë ditë, tha ai, “do ta marrin verdiktin e merituar për këto abuzime të njëpasnjëshme”.