Kryeministri dhe kryetari i LDk-së, Isa Mustafa, nuk e ka lënë pa e përmendur ish kryetarin e partisë dhe presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova në fjalimin tij në Kuvendin e Punës së partisë.
Pasi ka folur për siç ka thënë muajin e sukseseve, Mustafa është ndalur tek zërat kundërshtues në partinë e tij.
E kundërshtimet më të mëdha janë ato për koalicionin me partinë e cila ka qenë kundërshtuesja më e madhe e presidentit Rugova, por për Mustafën, kundërshtuesit janë shtrembërues të frymës rugoviane.
“Në LDK ka pasur zëra që e kanë kundërshtuar koalicionin, disa me AAK-në, e disa me PDK-në. Kundërshtimet e koalicionit janë vënë edhe duke shtrembëruar rugovizmin se çfarë do të bënte presidenti Rugova po të ishte gjallë”, ka thënë Mustafa.
Por paraardhësi i Mustafës në postin e të parit në parti, Fatmir Sejdiu, ka kërkuar që të sqarohet më shumë ky koalicion.
“Kërkoj te sqarohet metamorfoza e Isa Mustafës rreth koalicionit me PDK pas gjithë atyre epiteteve qe vete ia keni dhënë sot partnerit tuaj të koalicionit”, ka thënë Sejdiu./Insajderi.com