Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se dje ka pranuar një letër nga sekretari i NATO-s si konfirmim për rritjen e bashkëpunimin vitin e ardhshëm.
Ai ka thënë se, duke marrë në konsideratë propozimet e Qeverisë, Sekretari i NATO-së në përgjigjen e tij ka konfirmuar avancim substancial të bashkëpunimit dhe mbështetjen e Kosovës si dhe pjesëmarrjen e Kosovës në programet e ndryshme të NATO-s.
“Në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës vitin e kaluar i kam dërguar një letër Sekretarit Stoltenberg, ku kam kërkuar zyrtarisht fuqizimin e bashkëpunimit të Kosovës me NATO-n, në disa dimensione të rëndësishme për Kosovën. Si rezultat, dje pranova zyrtarisht një përgjigje shumë inkurajuese nga NATO-ja në letrën tonë”, ka thënë kryeministri.
Ai ka thënë se në letrën e NATO-s është ofruar mundësia për aktivitete shtesë të dizajnuara për të fuqizuar bashkëveprimin me Kosovën.
“Konsideroj se ky është ky është një lajm shumë i rëndësishme për Kosovën, pasi që hap një kapitull të ri të marrëdhënieve dhe mbështetjes së NATO-s dhe po ashtu e fuqizon rolin e Kosovës si faktor i stabilitetit në rajon dhe si një partner i besueshëm i NATO-s në përballimin e sfidave rajonale dhe globale të sigurisë”, ka shtuar Mustafa.
Sipas tij, Qeveria do ta mbështesë fushën e sigurisë dhe do të bashkëpunojmë ngushtë me NATO-n për t’i kontribuar paqes dhe stabilitetit, jo vetëm në këtë pjesë të Evropës, por edhe në aspektet globale./Insajderi.com