Të hënën, kryeministri Isa Mustafa do të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Paris, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Në këtë Samit merr pjesë edhe presidenti i Republikës së Francës, François Hollande, kancelarja Gjermane Angela Merkel, zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, njëherësh përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, kancelari austriak, Christian Kern dhe presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë, Matteo Renzi.
Samiti do të mbledh në kryeqytetin francez kryeministrat e Ballkanit Perëndimor. Pjesë e Samitit ku do të marrë pjesë kryeministri Isa Mustafa, do të jenë edhe kryeministri slloven Miro Cerar, ai kroat Tihomir Oreskoviq, kryeministri shqiptar, Edi Rama, i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, kryeministri maqedonas Emil Dimitrev, i Bosnje dhe Hercegovinës Denis Zvizdiq, si dhe kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq.
Gjatë këtij Samiti, kryeministri Mustafa do të ketë takime me burrështetas evropianë dhe me homologët nga rajoni.
Siç bën të ditur për Kosovapress shefja e stafit në Kryeministri, Vlora Dumoshi, kryeministri Mustafa, do të zhvillojë takime të veçanta edhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, si dhe komisionarin e BE-së për Politika të Zgjerimit, Johannes Hahn.
“Gjatë këtyre takimeve, kryeministri Isa Mustafa do të theksoj përkushtimin e Kosovës për proceset integruese evropiane si dhe do të kërkoj përkrahjen e tyre për fillimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës”, tha Dumoshi për Kosovapress.
Qëllimi kryesor i Samitit mbetet rishikimi i progresit të arritur në 10 projektet infrastrukturore për të cilat është arritur marrëveshje në Vjenë, por edhe për të iniciuar projekte të reja. Temë e diskutimit, pos infrastrukturës, do të jetë edhe përmirësimi i bashkëpunimit mes rajonit, fuqizimi i ekonomisë dhe lëvizja e të rinjve. /Insajderi.com