Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur i bindur se Kosova do t’i kalojë dy sfidat që ka përpara – demarkacionin me Malin e Zi dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit – para se Brukseli të votojë për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Ai ka thënë se mendon se mbledhja e Parlamentit Evropian dhe e Këshillit të Evropës do të mbahet para pushimeve, ndërkaq Kosovës i mbetet që vetëm ta kryejë punën e saj.
“Jam i sigurt që në vjeshtë ne mund të lëvizim pa viza”, është shprehur Mustafa në emisionin Debat në RTK.
“Muajin nuk mund ta caktoj, sepse janë ata që e caktojnë lart në Bruksel”, ka thënë Mustafa.
Po nuk kaloi në verë kjo çështje, Mustafa ka thënë se dyshon që Kosova do të futet në një cikël prej të cilit e ka vështirë të dalë, për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në disa vende kyç të BE-së. /Insajderi.com