Kryeministri i Republikës së Kosovës edhe sot ka folur për çështjen e marrëveshjes së demarkacionit Kosovë-Mali i Zi.
Ndonëse ditëve të fundit vetë kryeministri dhe disa zyrtarë të opozitës janë përfshirë në një dialog të ashpër në distancë, këtë nuk e sheh si të tillë kryeministri Mustafa.
Ai këtë e ka quajtur si “kërkesë të argumenteve”.
“Unë nuk shoh ashpërsim të gjuhës, shoh vetëm kërkesë të argumenteve. Mendoj se kjo tryezë duhet t’i vë në pah argumentet. Në qoftë se flitet për humbje të territorit, duhet të tregohet për cilin territor që e ka administruar Kosova që nga viti 1974 e këndej dhe po humbin demarkacion”, ka thënë kryeministri Mustafa.
Sipas tij, në qoftë se nuk gjendet ai territor, atëherë ata që e kanë krijuar kauzën duhet të përhiqen nga kauza dhe duhet ta votojnë shënjimin e vijës kufitare, në mënyrë që ne ta përmbushim edhe atë detyrim që e kemi ndaj Bashkimit Evropian për liberalizim të vizave, por edhe çështje tjera të integrimit evropian.
“Në qoftë se dikush ka dështuar në atë, prapë do të ketë përgjegjësi për dështimet. Prandaj unë besoj se njerëzit duhet të jenë racional dhe nuk kemi nevojë të akuzohemi dhe të shfrytëzojmë çdo fjalë tjetër dhe jo argumente, sepse këtu retorika nuk ndihmon. Këtu ndihmojnë vetëm argumentet. E kemi një sipërfaqe të cilën e ka pasur Kosova prej vitit 1974 e tutje, dhe duhet ta shohim a e kemi atë sipërfaqe pasi është nënshkruar marrëveshja e shënjimit të vijës kufitare”, ka thënë Mustafa./Insajderi.com