Mustafa: Nuk përjashtohet arbitrazhi nëse nuk miratohet demarkacioni – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa: Nuk përjashtohet arbitrazhi nëse nuk miratohet demarkacioni

    Insajderi
    18 April 2017 - 20:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se çështja e demarkacionit me Malin e Zi mund të shkojë në arbitrazh ndërkombëtar nëse dështohet që të miratohet në Kuvendin e Kosovës. Por, sipas tij, në një skenar të tillë, Kosova vetëm se do të humbiste kohë në miratimin e kësaj marrëveshje që është kusht për liberalizimin e vizave.

    “Nuk e përjashtoj çështjen e arbitrazhit nis kjo dështon në Kuvend”, ka thënë Mustafa.

    “Por, çfarë ne përfitojmë si Kosovë nëse i vonojmë proceset që i kemi si kusht sepse liberalizmi i vizave ndërlidhet me ratifikimin e kësaj marrëveshje”, ka shtuar Mustafa.

    Sipas tij, është e paqartë se me çfarë argumente Kosova do të paraqitej në arbitrazh, marrë parasysh se vetë komisioni shtetëror i Kosovës e ka miratuar vijën kufitare, matje e cila më pastaj është përkrahur edhe nga ShBA-të.

    Mustafa ka thënë se aktualisht partnerët e koalicionit, përfshirë këtu edhe Listën Serbe, janë duke harmonizuar qëndrimet rreth kësaj yshtje. Por, në ndërkohë, ai ka ripërsëritur se i ka bërë kërkesë BE-së që të miratohet liberalizimi i vizave për Kosovën dhe pastaj të bëhet miratimi i kësaj marrëveshje në Kosovë.

    Ai ka thënë se nuk mund të flasë për mënyrën se si disa deputetë të partisë së tij do të votojnë “meqë nuk i dihet si votohet deri në momentin e fundit”, por thotë se ka kërkuar nga deputetët që të jenë të arsyeshëm.

    “Unë do të dëshiroja që njerëzit të janë të arsyeshëm, që ta marrin përgjegjësinë për këtë çështje sepse jam shumë i bindur se nuk mund ta ndryshojmë kufirin, sepse kemi të bëjmë me një shtet që nesër do të jetë në NATO”, ka thënë ai në emisionin Rubikon të KTV-së.

    Kryeministri Mustafa më herët gjatë ditës ka thënë se BE-ja është zotuar se liberalizimi i vizave do të ndodhë gjatë muajit gusht nëse Kosova e voton marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi./Insajderi.com

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark