Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë të shtunën se qeveria që ai drejton do ta kryejë të gjitha procedurat që marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës.
Përmes një shkrimi të gjatë, Mustafa thotë se çështja e demarkacionit është shndërruar kauzë politike nga opozita pa pasur argumentet e mjaftueshme.
Sipas tij, ai si kryeministër nuk e ka bërë shënimin e vijës kufitare, por një konstatim i Komisionit qeveritar është konfirmuar edhe nga komisione të tjera, edhe ndërkombëtare.
Andaj, sipas tij, duhet pasur besim tek institucionet e vendit.
“Duhet të besoj se një komision shtetëror i cili ka punuar gati tre vite, të cilin nuk e kisha emëruar unë, e ka kryer punën në mënyrë profesionale dhe nuk ka pasur asnjë arsye t’ia falë Malit të Zi tokën e Kosovës”, ka thënë ai.
Përveç që ka përmendur komisionin ndërkombëtar të emëruar nga ish-presidentja Jahjaga dhe vlerësimet e Departamentit të Shtetit amerikan – të cilat konfirmojnë të gjeturat e komisionit qeveritar – Mustafa ka thënë se edhe “dokumente gjermane, të nxjerra nga bisedat e Vjenës për statusin e Kosovës, vërtetojnë po ashtu se kufiri është ky, që është caktuar nga Komisioni ynë shtetëror.”
“Të gjithë e dimë se qytetarët tanë të anëve të Rugovës me shekuj I kanë shfrytëzuar ato toka dhe nuk kanë pasur kufi që i ka penguar ti shfrytëzojnë. Disa nga ta kanë paguar taksa në komunën e Rozhajës dhe komunat e tjera të Malit të Zi për shfrytëzim. Ato toka i kanë konsideruar sit ë tyre dhe është vështirë tu thuash sot se nuk janë të tyre. Por po ashtu është vështirë tu thuash se janë të tyre, kur nuk ka dokumente që vërtetojnë se janë të tyre”, ka thënë Mustafa.
Ai ka thënë po ashtu se ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të tejkalohet kushti për demarkacion dhe të liberalizohen vizat, “ndërkaq ne ta bëjmë ratifikimin në një kohë më të përshtatshme, por përgjigja ka qenë eksplicite se pa ratifikim të demarkacionit nuk do të ketë liberalizim të vizave.”
“Kauzat politike ju shërbejnë individëve dhe partive politike, kurse liria e lëvizjes pa viza iu shërben gjithë qytetarëve. Tokën duhet ta arsyetojmë me dokumentacion (me letra, siç e tha një herë z. Gazmend Muhaxheri, Kryetar i Komunës së Pejës)”, ka shkruar Mustafa./Insajderi.com