Mustafa: Opozita po e rrezikon “shansin e madh” për vizat - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa: Opozita po e rrezikon “shansin e madh” për vizat

    Insajderi
    30 July 2016 - 09:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka kritikuar sërish opozitën lidhur me këmbnguljen e tyre për të kundërshtuar demarkacionin kufitar me Malin e Zi.

    Përmes një deklaratë në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa thotë se Kosova e ka sivjet “shansin e madh” për liberalizimin e vizave, andaj ka ftuar opozitën që të heqë dorë nga “këmbëngulja për ta uzurpuar një të drejtë themelore të qytetarëve”.

    “Të konstruktosh një të pavërtetë të madhe, se Kosova po humb 8200 hektarë, pa e dhënë edhe asnjë fakt se ku janë ata hektarë që Kosova i ka pasur me rastin e shpalljes së pavarësisë e tani po i humb, vetëm për ti bllokuar proceset e integrimeve është një grusht i madh që po i epet vendit tonë”, ka thënë ai, njofton Insajderi.

    “Ne duhet ti besojmë Komisionit shtetëror, Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, komisionit ndërkombëtar të themeluar nga Presidentja Jahjaga, duhet tu besojmë akteve mbi të cilat e shpallëm pavarësinë”, ka shtuar kryeministri pak ditë para mbajtjes së një tryeze ku do të diskutohet për këtë cështje.

    “Opozita duhet të lirohet nga kompleksi që liberalizimin e vizave dhe proceset më të rëndësishme integruese po i drejton një koalicion shtetformues, sepse me metoda të dhunës , gazit lotsjellës, mollotovit nuk mund të llogarisin se do të vijnë në pushtet dhe se ata do të jenë autorët e liberalizimit të vizave”, ka thënë Mustafa.

    Ai ka qenë i ashpër edhe ndaj profesorëve dhe ekspertëve të gjeografisë të cilët kanë dhënë opsionet e tyre lidhur me këtë proces.

    “Edhe “ekspertët-profesorët”, të cilët thonë se dokumentet e serbeve janë më të sakta se ato të shqiptarëve, vështirë se mund të na bindin se kjo është e vërtetë. Po të ishte e vërtetë kjo, Kosovë do ta kishte ndjerë veten më mirë dhe më sigurt me Serbinë sesa e pavarur. Para se të japin të tilla deklarata, ata meritojnë të kontrollohen te mjeku, qoftë në sektorin publik apo privat. Këto shërbime ua ofron shteti.”

    Ai i ka quajtur këtë njerëz si profiterë dhe diletantë./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark