Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, thotë se mosratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi rrezikon vendin më shumë sesa liberalizimi i vizave. Mustafa thotë se Kosova do të kthehet mbrapa në të gjitha segmentet integruese dhe shtet-formuese, duke përfshirë edhe formimin e FAK-ut dhe integrimin në BE dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO. Për këtë çështje kryeministri thotë se Kosova nuk ka humbur territor, por opozita ka krijuar qëllimisht “mjegull”, ka thënë ai për Zërin.
Mustafa qëndrimin e opozitës e konsideron si kauzë për përfitime elektorale karshi kësaj çështjeje dhe thotë se opozita nuk po arrin të dëshmojë se kujt i humbën mbi 8000 hektarë tokë, ndërkohë që territori i Kosovës dhe i komunës së Pejës janë të plota.