
Kryeministri Isa Mustafa ka thënë të premten se me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim-Asocim, Kosova hynë në një fazë të re.
“Kjo është një fazë e re e zhvillimit politik, social dhe ekonomik për Kosovën. Tani më në këtë etapë të re, tregu i prodhuesve të Kosovës nuk është vetëm Kosova, por është tregu i 28 vendeve të BE-së”, ka thënë kryeministri.
Ai ka thënë se hyrja në fuqi e kësaj marrëveshje do të pasohet së shpejti nga vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Sot kemi arsye të jemi të lumtur me rrugën drejt integrimeve dhe këtu kemi arsye shumë të besojmë se pas përmbushjes së suksesshme të kritereve dhe rekomandimeve që janë kërkuar për liberalizimin e vizave, së shpejti zbatimit të MSA-së do t’i bashkëngjitet edhe vendimi i BE-së me të cilin do të mundësohet lëvizja e lirë pa viza për bizneset dhe e qytetarët tanë”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.
Sot ka hyrë në fuqi MSA-ja, e cila është nënshkruar më 27 tetor 2015 nga Federica Mogherini, Përfaqësuesja e Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë/Nën-Kryetarja e Komision it Evropian, dhe Johannes Hahn, Komisioneri për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim, për Bashkimin Evropian, derisa për Kosovën MSA-ja është nënshkruar nga Kryeministri, Isa Mustafa, dhe Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.
MSA-ja është negociuar në periudhën tetor 2013 dhe maj 2014, është nënshkruar më 22 tetor 2015 dhe zyrtarisht marrëveshja është arritur më 12 shkurt 2016.