Mustafa pranon se është vonuar në ceremoninë e inaugurimit të urës në veri – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Mustafa pranon se është vonuar në ceremoninë e inaugurimit të urës në veri

    Insajderi
    03 December 2016 - 09:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, sërish i është kthyer temës lidhur me vizitën e tij në veri të vendit, duke ripërsëritur se nuk është penguar nga serbët e asaj ane. Por, Mustafa ka pranuar se është vonuar në ceremoninë e inaugurimit të urës që lidh komunat Leposaviq dhe Zveçan.

    “Nuk e kam shprehi të vonohem. Nuk jam vonuar në orë me studentë, nuk vonohem në punë dhe nuk vonohem në mbledhje të Qeverisë.  Për hirë të vërtetës dua ti sqaroj opinionit se ftesa për hapjen e urës nga KFOR-i ka qenë për orën 14:00. Unë kam arritur ndërmjet orës 14:10 ose 14:15 min. Ceremonia ka përfunduar në ora 14:45, prandaj kam arritur në Drenas në ora 16:30”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Facebook.

    “Të gjitha pretendimet se jam penguar dhe se kam arritur me një orë e gjysëm ose dy orë vonesë janë të pavërteta. Më vjen keq që duhet të merrem me këto gjera,” ka shtuar Mustafa.

    Gjatë ditës së premte, delegacioni i Qeverisë së Kosovës por edhe komandanti i KFOR-it janë detyruar të gjejnë rrugë alternative për të shkuar deri tek ura e inauguruar, meqë banorë serbë kanë bllokuar magjistralen përmes një kamioni të parkuar në mes të rrugës.

    Ata raportohet se kanë kaluar nëpër disa fshatra shqiptare ndërsa serbët kanë vazhduar të qëndrojnë në mes të rrugës

    Por, menjëherë pas vizitës, kryeministri i Kosovës nuk e pranoi se është penguar gjatë kësaj vizite.

    “Ne kemi shkuar rrugës dhe neve askush nuk na e ka bllokuar rrugën. Kemi arritur atje me kohë dhe është një argument që neve askush nuk mund të na ndal të qarkullojmë në vendin tonë”, ka thënë para gazetarëve kryeministri, kur është pyetur rreth kësaj cështje./Insajderi.com

     


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark