
Mustafa u prit në takim nga kryetari i Komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, derisa shoqërohej nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi dhe ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani.
Kryeministri Mustafa i premtoi kryetarit të kësaj komune se do t’i ndërtoj disa shkolla nëpër fshatrat e Kamenicës të cilat janë të “viteve 60-ta” dhe ndërtimin e rrugëve në bashkëpunim me ministrinë e Infrastrukturës.
“Vlerësuam po ashtu se ka nevojë që të bëhen investime edhe në disa fusha me prioritet, në fushën e arsimit, në disa shkolla të fshatrave ku kemi shkolla të vjetra të viteve të 60-ta, të cilat nuk plotësojnë as kushtet minimale”, tha kryeministri Mustafa.
Më tej, kryeministri Isa Mustafa ka veçuar rëndësinë e krijimit të një ambienti për tërheqjen e investimeve, qoftë përmes bashkatdhetarëve që punojnë në vende perëndimore qoftë ardhjes së investimeve të drejtpërdrejta nga jashtë.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, e falënderoi kryeministrin Mustafa për vizitën dhe e informoi atë rreth projekteve të realizuara në këtë komunë. /Insajderi.com