Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se koalicioni PDK-LDK ka bërë punë shumë të mëdha, pavarësisht përpjekjeve për ta penguar punën e saj.
“Kjo Qeveri dhe ky koalicion ka arritur shumë në kushte jo të zakonshme. E mundëm dhunën dhe përpjekjet për instalimin të rrënimit të pushtetit demokratik me dhunë, të paparë jo vetëm në Ballkan por edhe në demokracitë tjera. Forcuam marrëdhëniet me BE-në; nënshkruam marrëveshjen e parë kontraktuale dhe plotësuam kriteret për liberalizim të vizave, shumë më shumë sesa vendet e tjera”, ka shkruar kryeministri në Facebook.
“Treguam se dimë ta zhvillojmë ekonominë; arritëm stabilitet të plotë buxhetor dhe stabilitet makroekonomik, me rritje të vazhdueshme reale ekonomike dhe ulje të normës së papunësisë”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se kjo Qeveri arriti t’i dalë zot vendit në të gjitha pjesët e saj, duke e forcuar shtetin ligjor.
“Treguam se ne i dalim zot vendit tonë në të gjitha pjesët e tij, pa marrë parasysh provokimet. Forcuam shtetin ligjor, luftuam korrupsionin, ekstremizmin dhe terrorizmin”, ka shkruar më tej kryeministri Mustafa.
“Shprehëm gatishmërinë e përhershme që me opozitën të gjejmë zgjidhje për çështjet me interes nacional të vendit”, vazhdon ai.
Megjithatë, Mustafa e pranon se para vetes ka sfida, të cilat i sheh si të tejkalueshme.
“Kemi sfida, jo të pakapërcyeshme, të transformimit të FSK-së, të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dy nga këto sfida ndërlidhen me integrimin e serbeve në institucione, kurse demarkacioni i kufirit është çështje e përgjegjësisë së shumicës, tani kur gjërat janë sqaruar përfundimisht”, ka shkruar kryeministri.
Qeverisjen me PDK-LDK e sheh si qeveri të vendimeve dhe reformave të mëdha, duke shtuar se rezultatet e këtyre vendimeve do të shihen më vonë.
Ai ka thënë se nuk do të dorëzohen para vendimeve të mëdha, sado të vështira që të jenë ato.
“Është kjo Qeveri e vendimeve të mëdha dhe e reformave të mëdha. Reformat zakonisht nuk janë populliste. Ato japin rezultate më vonë. Ne nuk do të dorëzohemi para reformave dhe vendimeve të mëdha, sado të vështira të jenë ato. Ndërmjet interesave afatshkurtra që ndërlidhen me votat dhe interesave të shtetit unë do të zgjedh këtë të dytën”, përfundon postimi i kryeministrit Isa Musfata në Facebook./Insajderi.com