Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i është përgjigjur deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, i cili ka thënë të premten se në rast që koalicioni qeverisës ratifikon demarkacionin me Malin e Zi në Kuvend “sepse do t’iu mallkojnë brezat që vinë”.
Por, kryeministri Mustafa e ka cilësuar si “ultimatum” letrën publike të deputetit, duke thënë se deputeti Haradinaj e paska marrë në dorë ligjin (apo kanunin) për të caktuar se kush dhe për çfarë është tradhtar, duke parashikuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.
Kryeministri ka konfirmuar edhe një herë se Qeveria që ai drejton do të dërgojë marrëveshjen në kuvend për ratifikim.
“Z. Haradinaj, në vend të kërcënimeve do të ishte e rrugës t’ia prezantoj Kuvendit argumentet se cila tokë që është administruar nga Kosova përfundimisht më 31 dhjetor të vitit 1988 iu paska dhënë Malit të Zi”, ka shkruar kryeministri në llogarinë e tij në Facebook.
“Unë do tu gëzohesha argumenteve të tilla. Por, deri sot, përveç manipulimeve me harta topografike e ushtarake, në periudha kohore të cilat nuk i përkasin kohës dhe rrethanave të shpalljes së pavarësisë, si dhe kërcënimeve dhe denigrimeve, asnjë argument nuk është ofruar as nga ata që e pollën këtë kauzë të humbjes së 8,000 hektarëve e as nga ata që po i thonë vetes specialist dhe që janë vënë në shërbim të kësaj kauze dhe të politikës populiste.”
Për më tepër, kryeministri ka thënë që Haradinaj duhet tu tregoj qytetarëve të Kosovës, pse grupi parlamentar i AAK-së votoi Ligjin për Shpalljen e Bjeshkëve të Nemuna zonë të mbrojtur në po këta kufij me Malin e Zi./Insajderi.com