Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, sërish ka hedhur poshtë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Në një bisedë për Reuters, Mustafa ka thënë se në rrethanat aktuale zgjedhjet nuk do të prodhonin asnjë zgjidhje.
“Në situatën e tanishme, zgjedhjet nuk do të zgjidhnin situatën sepse në konstelacionin politik dhe me partitë politike që janë aktualisht ne vetëm sa do të përsëritnim të njëjtën gjë,” ka thënë ai.
“Ne besojmë se mandati ynë duhet të zgjasë deri në fund,” ka shtuar ai.
Kështu, Mustafa edhe një herë i është kundërpërgjigjur Kadri Veselit, kryetar i PDK-së me të cilën Mustafa ka koalicion, i cili më 22 tetor për herë të parë përmendi mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
“Nuk është fundi i botës nëse nesër del një opsion me marrëveshje politike në mes kampit të pozitës dhe opozitës që të shkohet në zgjedhje dhe të kemi normalitet”, kishte thënë Veseli, teksa nuk kursente as akuzat për keqqeverisje të Qeverisë së Kosovës.
Ai edhe në një rast tjetër ka përmendur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme por duke thënë se kjo duhet të bëhet në pajtim me partnerin e koalicionit./Insajderi.com