Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka njoftuar se janë duke u bërë përgatitjet e fundit për pritjen e “mikut të madh të Kosovës”, zëvendëspresidentit amerikan Joe Biden.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa ka thënë se vizita e Biden në Kosovë shënon “ngjarje të madhe dhe të veçantë për Kosovën.
“Vizita e Zëvendëspresidentit Biden është konfirmim i përkushtimit tonë të përbashkët që marrëdhëniet me fqinjët, politikat gjeostrategjike dhe integrimet euroatlantike ti ndërtojmë në partneritet të plotë me SHBA-të”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se Kosova ka miqësi të vecantë me ShBA-të të cilën duhet kultivuar edhe në të ardhmen.
“Themel i rugovizmit, pra i strategjisë politike të Presidentit Historik të Kosovës, Ibrahim Rugova ishte miqësia e përhershme me SHBA-të. Aleanca Veriatlantike e udhëhequr nga SHBA e shpëtoi Kosovën nga ekzodi, shfarosja dhe zhbërja. SHBA ishte aleati ynë kryesor në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin e institucioneve demokratike. Ekspertiza politike dhe mbështetja e SHBA-së kanë qenë dhe janë jetike për Kosovën”, ka shkruar Mustafa.
Joe biden viziton Kosovën në fillim të javës tjetër. Ai do të takohet me kryeministrin Mustada dhe presidentin Thaci.