Muzeu i Artit Modern në New York, në shenjë proteste ndaj vendimit të Presidentit Trump për ndalimin e hyrjes në Amerikë të shtetasve nga 7 vende myslimane, ka zëvendësuar pikturat e Picasso-s, Van Gogh, Matisse etj, me artistë nga Irani, Iraku, Jemeni, Somalia, Sudani, Siria dhe Libia.
Në vend të Picasso-s – modernisti sudanez Ibrahim el-Salahi. Përballë të famshmes “The Starry Night” nga Vincent Van Gogh, një panoramë abstrakte e Hong Kong e pikturuar nga Zaha Hadid, artistja anglo-irakene e cila vdiq vitin e kaluar. Dhe në krah të së famshmes Dance Matisse, një heroglif i gdhendur në detaje nga iraniani Charles Hossein Zenderoudi, shkruan Historia-ime.com
Krahas çdo vepre, është vendosur një mbishkrim: “Kjo punë është kryer nga një artist i një vendi, shtetasit e të cilit e kanë të ndaluar hyrjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo ekspozitë synon të afirmojë idealet e mikpritjes dhe lirisë, që janë baza e kulturës së këtij muzeu dhe e Shteteve të Bashkuara.”
MoMa nuk është i vetmi institucion kulturor që ka ngritur zërin në javën e fundit, kundër ndalimit të shtetasve myslimanë.
Më herët vetë gjykatësi federal, James Robart, ka vendosur se urdhri ekzekutiv për ndalimin e refugjatëve dhe vizitorëve nga shtatë vendet myslimane nuk mund të zbatohet.