
Gjokë Sokolit në luftë ia kanë vrarë tre vëllezërit dhe motrën e vetme.
Ai ka edhe familjarë të tjerë të vrarë, nipa e të afërm të tjerë, fotografitë e të cilëve qëndrojnë në muzeun që ai e ka krijuar në shtëpinë e tij në Mejë të Gjakovës.
Sokoli tregon për KosovaPress, për kohën kur kishte filluar ta krijojë këtë muze .
“Në shpirtin tim mendoj që 100 libra i kam, sepse kam përjetuar shumë, e kam përjetuar grykën e automatikut të kthyer nga unë, Zoti më ka shpëtuar, dhe si ka filluar bombardimet e NATO-s unë menjëherë kam qenë në aksion me gazetarë gjermanë, italianë, anglezë, me gazetarë të Kosovës, kemi mbledh gjëra, fotografi e të tjera, jam munduar dhe e kam parë të nevojshme ta bëj një muze”, thotë Gjoka.
Ai thotë se ka dashur që të mbesin si një arkivë, pasi që sipas tij shumë ngjarje e gjëra të popullit shqiptar janë harruar.
“Me ruajt si një arkiv, sepse ne jemi bukur të harrueshëm, i vlerësojmë gjërat më shumë shkojmë nga leku sesa me lënë diçka prapa, e unë e kam një arkiv. E kam bërë librin për masakrën e Mejës, e kam bërë një libër tjetër, prej vitit 1900 i kam marrë masakrat që janë bërë në Evropë dhe Ballkan dhe Kosovë, më ka dalë një libër i mrekullueshëm që është për studentë. Kjo më ka frymëzuar më tepër, i kam bashkuar këtu mirëpo e shoh se edhe sot e kësaj dite, numri i të vrarëve në Kosovë nuk dihet, kjo është një e metë e madhe”, thotë ai.
Edhe Gjokë Sokoli, si shumë familjarë të të vrarëve dhe të zhdukurve, është i zhgënjyer me institucionet e Kosovës.
Ai thotë se është e rëndë për familjarët që të shohin si lëvizin të lirë ata që 2 dekada më parë vranë e masakruan shqiptarët në Kosovë.
Sipas tij, duhet të formohet një komision i cili do të arrinte të ngriste akuzat për kriminelët e Serbisë.
“Jemi të zhgënjyer me çdo gjë, kam pas rast për këto viktimat e mija kam bisedu, thonë ti si familjar akuzo Serbinë. Po ku shkon ajo, a kemi shtet, për çka i kemi dhënë viktimat. Duhet me formu një komision shtetëror që i akuzon kriminelët. i kam emrat e kriminelëve, i kam mbiemrat, nuk ka kush, unë nuk kam mundësi….shteti duhet me formu një komision që i akuzon këta vrasës, që sot janë të lirë në shtetin e Serbisë”, thotë ai.
Gjokë Sokoli, autor i dhjetëra librave, thotë se vazhdon të angazhohet në histori, dhe synon ta pasurojë këtë muze me gjëra që flasin për të kaluarën e shqiptarëve dhe përjetimet e rënda të tyre në luftë./ Insajderi.com