×
  • Lajme
  • Analiza

    “Myk, klor, mungesë e mirëmbajtjes”- ankesat e danezëve për burgun e Gjilanit, SHKK flet për Insajderin

    Insajderi
    30 May 2024 - 12:49
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Myku, problemi i ujit të pijshëm dhe mungesa e mirëmbajtjes ishin shqetësimet që kishin ngritur danezët kur një delegacion nga shteti i Danimarkës erdhi që ta vizitonte Burgun e Gjilanit. Në bazë të një marrëveshje të arritur midis Kosovës dhe Danimarkës, të burgosurit danezë pritet të transferohen në burgun e komunës së Gjilanit.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës në një prononcim me shkrim për Insajderin ka bërë të ditur se në kuadër të marrëveshjes është paraparë një “ridizajnim i burgut” për ta përshtatur me kërkesat e danezëve.

    “Ju njoftojmë se Qendra e Paraburgimit në Gjilan i plotëson të gjitha standardet e kërkuara ndërkombëtare për sigurinë dhe mirëqenien e të burgosurve. Megjithatë, sipas marrëveshjes sonë, ne kemi planifikuar një ridizajnim të burgut për ta përshtatur atë me rendin shtëpiak danez”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    SHKK’ja bëri të ditur se lidhur me pretendimet për prezencë myku, klori në ujë të pijshëm “janë marrë të gjitha masat e nevojshme për eliminimin e këtyre problemeve”.

    “Po ashtu, ju njoftojmë se bazuar në standardet e ujërave dhe KRU “Hidromorava” Gjilan, uji është i pijshëm dhe plotëson të gjitha kriteret e kërkuara për siguri dhe cilësi”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen e tyre.

    Në një raportim të mediumit ndërkombëtar ‘Al Jazeera’ lidhur me marrëveshjen për burgje mes Kosovës dhe Serbisë, përmenden ankesat e danezëve për kushtet e Burgut të Gjilanit.

    Sipas këtij raportimi, para nënshkrimit të kontratës, Shërbimi Korrektues Danez vizitoi burgun në Gjilan dhe zbuloi se, ndër të tjera, ka myk, se uji i pijshëm mban aq shumë erë klori sa që shumica e të burgosurve pinë ujë në shishe dhe se burgu në përgjithësi tregon shenjat e mungesës së mirëmbajtjes.

    Gazeta Insajderi iu është drejtuar me pyetje edhe Shërbimit Korrektues Danez për këto pretendime, mirëpo deri në momentin e publikimit të artikullit s’ka marrë ndonjë përgjigje.

    Kuvendi në seancë e miratoi me procedurë të përshpejtuar projektligjin për marrëveshjen me Danimarkën me 86 vota për, shtatë kundër dhe asnjë abstenim. Paraprakisht, Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për ratifikimin e kontratës ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, që parasheh shfrytëzimin e qendrës korrektuese në Gjilan për ekzekutimin e dënimeve të qytetarëve danezë, për të cilin Danimarka do të ndajë 200 milionë euro.

    Ministrat e Drejtësisë të Kosovës dhe Danimarkës nënshkruan një marrëveshje në vitin 2022 në Kopenhagë, pas nënshkrimit të një letre qëllimi në dhjetor të vitit 2021 për transferimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në Gjilan.

    Sipas Traktatit, Danimarka nuk do të dërgojë në Kosovë të burgosur të dënuar për akte terroriste, krime lufte dhe të burgosur me çrregullime të rënda mendore të diagnostikuara që kërkojnë kujdes mjekësor jashtë burgut. Kontrata parashikon që dënimi të kryhet sipas rregullave daneze dhe në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Danimarkës. Prandaj, të burgosurit do ta kryejnë dënimin e tyre në kushte që në përgjithësi korrespondojnë me kushtet e burgut në Danimarkë.

    Gjatë kësaj vizite, delegacioni u shoqëruan nga zëvendësministri Sallahu, antarët e kabinetit dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. Në fokus të veçantë ishte edhe informini lidhur me trajtimin e të burgosurve pranë këtij burgu i cili është në përputhje me respektimin e standardeve ndërkombëtare”, thuhej në komunikatë.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark