×
  • Lajme
  • Lajme

    “Na duhet një dinamikë e re”- Scholz dërgon mesazhe nga samiti i Berlinit për dialogun Kosovë-Serbi

    Insajderi
    14 October 2024 - 11:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të angazhohen më aktivisht në normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, duke u zotuar se do të punojë edhe personalisht me të dyja vendet.

    Scholz i bëri komentet në hapje të samitit të Procesit të Berlinit, ku marrin pjesë përfaqësues të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve partnere.

    “Na duhet një dinamikë e re… do t’u thosha miqve nga Beogradi dhe Prishtina sot: Ju lutem mos lejoni që e kaluara t’ju frenojë në rrugën drejt një të ardhmeje paqësore dhe prosperuese. Jam i bindur se kjo e ardhme gjendet në BE dhe ekziston vetëm një rrugë që çon atje: zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura”, tha Scholz gjatë fjalës hyrëse.

    “Unë do të vazhdoj të angazhohem personalisht me të dyja vendet, për t’u siguruar se ato e shfrytëzojnë këtë mundësi”, shtoi ai.

    I lansuar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane, Angela Merkel, Procesi i Berlinit shënon sivjet dhjetë vjet.

    Synimi i samiteve të tij, të cilat mbahen çdo vit, është që gradualisht ta afrojnë Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut më pranë BE-së.

    Nga gjashtë shtetet e rajonit, vetëm Kosova nuk është kandidate zyrtare për anëtarësim në BE.

    Scholz, po ashtu, paralajmëroi nënshkrimin e dy dokumenteve të reja në samitin e sotëm, që, siç tha, do ta bëjnë jetën e njerëzve më të lehtë.

    I pari, sipas tij, ka të bëjë me një plan të ri veprimi për tregun e përbashkët rajonal, ndërsa i dyti ne një marrëveshje të re për lëvizjen, që përfshin edhe qasjen në arsimin e lartë. /REL

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark