Bujar Hudhri, pronar i shtëpisë botuese Onfuri ka denoncuar se është përjashtuar nga panairi i librit në Prishtinë.
Hudhri ka thënë për Insajderin se kjo ka ndodhur pasi që iu është kërkuar që të zhvendosen nën një çadër dhe të largohen nga pjesa qëndrore e panairit.
“Na kanë shpërngulur në çadër, kjo është arsyeja pse ne mungojmë në Prishtinë. Nuk është se ne kemi kërkuar ndonjë piadestal apo një pozicion tjetër. Thjeshtë, kemi kërkuar të mos na shpërngulin prej aty, na kanë shpërngulur në çadër gjë që unë nuk mund ta pranojë që porteri i Kadaresë në Prishtinë të futet në një çadër. Asnjë nuk mund ta pranonim”, ka deklaruar ai.
“Onufri ka pasur gjithmonë interesim dhe s’ka munguar asnjëherë që nga dhjetori i 1999’ës në Prishtinë. Interesimi është i madh për shkak të autorëve në letërsi shqipe. Përveç Kadaresë që nuk krahasohet me askënd, kemi shqiptarët më të mirë të Shqipërisë dhe të Kosovës, shumë akademikë dhe shkrimtarë të rinj”, vijon deklarimi i botuesit për Insajderin.
Hudhri ka akuzuar organizatorët, në këtë rast Shoqatën e Botuesve të Kosovës, se nuk kanë dashur që Onufri të jenë pjesëmarrës në këtë panair.
“Interesi i tyre ka qenë që të mos marrim pjesë sepse ato e kanë zënë, çadra ishte vetëm. Ne kemi ardhë nga Tirana. Ç’punë kanë librat në gjuhë të huaj, në anglisht të vihen në pjesën qëndrore të panairit të Prishtinës. Ai është panair i librit shqip”, ka shtuar tutje ai.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me organizatorët e panairit, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje.
Dje është hapur edicioni i 24-të i Panairit të Librit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. /Insajderi.org/