"Na lehtësoi sado pak dhimbjen", "Fëmijët do të gëzohen" - vëllai i Gjyljeta Ukellit mirëpret dënimin me burgim të përjetshëm për Edmond Lajqin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Na lehtësoi sado pak dhimbjen”, “Fëmijët do të gëzohen” – vëllai i Gjyljeta Ukellit mirëpret dënimin me burgim të përjetshëm për Edmond Lajqin

    Insajderi
    27 December 2024 - 10:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sot, Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur dënimin me burgim të përjetshëm për Edmond Lajqin, i cili vrau gruan e tij, Gjyljeta Ukelli. Ky vendim ka ardhur pas një procesi gjyqësor, dhe është mirëpritur.

    Familjarët e viktimës, shprehën lehtësim dhe falënderime për vendimin e marrë.

    Vëllai i së ndjerës, Shpat Ukella, para mediave ka theksuar se vendimi i gjykatës i ka lehtësuar sado pak dhimbjen e thellë të familjes.

    Ai shprehu mirënjohje për punën e gjykatësit, prokurorit dhe Policisë së Shtetit.

    “Sot gjykata e dha vendimin final që neve si familje na lehtësoi sado pak dhimbjen dhe dënoi me burgim të përjetshëm. Jemi shumë të lumtur dhe e falenderojmë gjykatësin, prokurorin dhe policinë e shtetit për punën e bërë deri më tani.”

    Për sa i përket mundësisë që gjykata e shkallës së dytë të rikthejë rastin në rigjykim, Ukella është i bindur se kjo nuk do të ndodhë.

    Ai tha se beson se gjykata do ta shqyrtojë rastin me seriozitet dhe se nuk do të bëhen lëshime.

    “Unë shumë besoj se për vrasjen e motrës time të pafajshme, në momentin që ajo ka qenë duke pirë kafe pa vetmbrojtje, besoj që edhe Gjykata e Apelit dhe të tjerat do ta kenë parasysh këtë dhe nuk do të bëjnë lëshime në asnjë mënyrë,” tha ai, duke shprehur besim të madh në drejtësinë e sistemit.

    Shpat Ukella gjithashtu foli për fëmijët e së ndjerës, të cilët tashmë janë nën kujdesin e familjes së afërme.

    Ai tha se, edhe pse ata nuk mund ta zëvendësojnë dashurinë e nënës së tyre, atyre s’do t’iu mungojë ngrohtësia e tyre si familjarë të nënës.

    Ukella pos tjerash deklaroi se fëmijët janë të lumtur për vendimin e marrë për nënën e tyre të pafajshme.

    “Gjendja e fëmijëve është shumë e mirë, çdo gjë është në rregull. Ata kanë ngrohtësi, edhe pse ne nuk mund t’ua japim atë që ua ka dhënë nëna e tyre. Ata fëmijë asnjëherë nuk kanë pasur baba, motra ka bërë çdo gjë për ta. Ne mundohemi në maksimum si dajë, teze e gjyshja me u përkujdes për ta. Sot ata po më presin me shku me ua kumtu lajmin për nanën e tyre të pafajshme, janë shumë  të lumtur për vendimin që është jep për nënën e tyre të pafajshme.” shtoi Ukella.

    Si ndodhi rasti?

    Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj Edmond Lajqit, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes së tij, Gjyljeta Ukelli më 16 prill të këtij viti në Pejë.

    Sipas dosjes së prokurorisë, qifti nga Peja kishin kriza të thella në martesë. Nga deklarata e dorasit kuptohet se ai ishte i pakënaqur nga mënyra se si ishte trajtuar nga viktima ( bashkëshortja e tij) dhe nga familja e saj.

    Sipas tij, kjo e ka bërë të ndihet keq për shkak edhe gjendjes depresive që ndodhej viteve të fundit për shkak të vdekjes së babait të tij.

    Lajqi, sipas dosjes, në ditën kritike nuk kishte fjetur në banesën e tij por kishte qenë në spital me nënën, e cila ishte duke u trajtuar.

    Sipas dosjes, i pandehur rreth orës 8:00 të mëngjesit të datës 16 prill kishte shkuar në banese. Derën e banesës ia kishte hapur djali i tyre i mitur. Ai ka deklaruar se kur ka mbërritur në banese e ka gjetur gruan e tij në shtrat duke fjetur. Ai tregon se është refuzuar  nga bashkëshortja e cila sipas tij, e ka injoru dhe fyer. Pas kësaj, ai deklaron se ka gjuajt me armë zjarri në drejtim të saj, e cila si pasojë e plagës ka vdekur në vendin e ngjarjes.

    Gjithmonë sipas dosjes së prokurorisë e cila bazohet në dëshminë e dorasit dhe familjarëve, thuhet se çifti kishin pasur probleme bashkëshortore për një kohë të gjatë. Sipas bisedave mes qiftit që ka siguruar prokuroria thuhet se viktima i ishte drejtuar dorasit me fjalët “skizofren” dhe “martesa jon finite”.

    “I pandehuri Edmond dhe viktima Gjyljeta kishin pasur probleme bashkëshortore për një kohë të gjatë. Nga raporti i ekspertimit të telefonit, janë gjetur disa mesazhe në mes të viktimës Gjyljeta Ukella dhe bashkëshortit të saj të pandehurit Edmond Lajçi, ku ndër të tjera i pandehuri Edmond i është drejtuar viktimës me fjalët,,vetëm qkapu pi familjareve te mi ,non, Gëzim, motër, Ajshe, Rexhep, krejt farefis temin”, kurse viktima i është drejtuar me fjalë si:,,shizofren”, e po ashtu ndër të tjera e njëjta i kishte thënë se martesa jon finite”, si dhe komunikime të tjera të cilat gjenden në Cd”, thuhet në raport.

    Ndërsa i pandehuri, Edmond Lajqi ka deklaruar se një ditë para vrasjes ishte sulmuar fizikisht nga gruaja e tij dhe ishte ofenduar me fjalët “ti je njeri i ulet, je një dështakë”. Madje ai përmend edhe dyshimet për tradhti nga bashkëshortja e tij.

    “I pandehuri deklaron se ditën kritike jo por një ditë më parë, më ka sulmuar fizikisht tani e ndjera Gjyljeta, dhe më ka fyer me fjalët,, ti je njeri i ulet, je një dështakë” dhe më pas më ka sulmuar fizikisht ku gjersa unë kam qenë i shtrirë në krevat ajo mi ka vendosur duart në fyt dhe pastaj kur kam fillu me i hap do tema që kishin të bëjnë se me kënd po del, viktima pastaj më thoshte me frajer, ti je njeri i sëmurë, ajo çdo herë ka fol me fjalët e tjerëve. Rastin nuk e lajmërova atë natë në polici dhe nuk e di as vet pse nuk e raportova, pasi që jam fjalos me viktimën shkova tek nëna në Spital, e cila ka qenë duke u trajtu nga Kanceri, atë natë unë kam flejt në Spital. Në ora 11:07 min i pandehuri kërkon qe te konsultohet me mbrojtësen. Prokuroria e lejon. Në pyetje të prokurores se çfarë ka ndodhë pastaj? I pandehuri deklaron se atë natë mandej skam qenë mirë psiqikisht dhe i kam kërkua 2 diazepama prej motrave dhe i kam pirë”, thuhet në aktakuzë./Gazeta Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark