Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se mbajtja e grevës shkel të drejtën e nxënësve për arsim.
Në një konferencë për media pasi tregoi për përgatitjet për fillimin e vitit shkollor, tha se mosmbajtja e mësimit i dëmton më së shumti nxënësit.
“E njohim organizimin sindikal, kërkesat për kushte më të mira të punës. Mosmbajtja e mësimit i dëmton më së shumti nxënësit dhe shkel të drejtën e tyre për arsim. Humbja e mësimit është cenim i së drejtës themelore të fëmijëve për arsim dhe si e tillë për ne është e papranueshme sepse në vazhdimësi jemi duke punuar dhe duke u siguruar që të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për mësimdhënësit tonë në shkolla por të punojmë edhe për përmirësimin e rezultateve në arsim”, thotë Nagavci.
Ajo shton se në projektligjin e ri të pagave janë kujdesur që të gjithë mësimdhënësit të trajtohen në mënyrë të barabartë.
“Ne jemi siguruar që jo vetëm të adresojmë të gjitha kërkesat që i kemi mbështetur edhe në atë kohë por të sigurohemi që të gjithë mësimdhënësit të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme, ashtu të shtymë përpara përmirësimin e performancës duke paraparë edhe shtesën për ata që do të jenë më të suksesshme në punën e tyre. Ne projektligjin e ri nuk do të ketë ndarje të tilla në mes të mësuesve klasor nga klasa e parë në të pestën, me atë të klasës së gjashtë në të nëntën. E po ashtu i kemi adresuar në mënyrë parimore edhe kategoritë e tjera të cilat kanë qenë të diskriminuara, jo vetëm me ligjin e kaluar të pagave por edhe në praktikë”, thotë ajo.
Nagavci tha se tashmë ligji është në diskutim paraprak dhe të gjitha kategoritë e punëtoreve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë në projektligjin e ri të pagave.
E derisa tha se kanë pritur kërkesa e SBASHK-ut të arsyshme, tha se Ministria e Arsimit është e hapur për bisedime me SBASHK-un.
“Kur e përmenda se jemi të hapur për bisedime, e thash që e kemi përmendur gjithmonë, në interes të nxënësve, ne kemi bashkëpunuar, kemi biseduar, kemi takuar përfaqësues të sindikatës, nxënësve, mësimdhënësve, prindërve, kemi adresuar kërkesat e bazuara dhe të argumentuara dhe tani nuk ka kohë për mëdyshje. Unë besoj shumë që kjo po përdoret me qëllim të presioneve dhe është paksa e instrumentalizuar. Po them bashkëpunim, bashkëpunim që të sigurohemi që fëmijët tanë të mos pësojnë në këtë drejtim. Sa janë mundësitë, si do realizohen kërkesat tjera, është çështje që do shqyrtohet me kujdes dhe vëmendje. Pyetja ime për SBASHK-un ka qenë pse pikërisht 100 euro, pse jo 300 apo 500, apo 80. Pse vetëm për punëtorët e arsimit dhe jo tjerët, apo pse për të gjithë punëtorët e arsimit njëjtë”, vijoi Nagavci.