Zgjedhjet studentore në Universitetin e Prishtinës janë duke u zhvilluar sot. Ky proces është duke vazhduar me probleme të njëpasnjëshme.
Qysh nga orët e hershme të mengjesit kishte bllokim të Sistemit Elektronik për Menaxhimin e Studentëve, kështu u kuptua se mund të kishte sulm kibernetik.
Për këtë rast ka reaguar edhe Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se zgjedhjet studentore në Universitetin e Prishtinës duhet të anulohen në rast se vazhdojnë të ketë probleme në këtë proces siç është raportuar edhe paraditen e sotme.
Nagavci tha se zgjedhjet studentore janë të një rëndësie të veçantë, si për studentët ashtu edhe për Universitetin dhe duhet të garantohet e drejta e votës për secilin student ashtu si dhe një proces demokratik, i drejtë e transparent.
“Ndonëse jemi në rrethana të lehtësuara pandemie, Universiteti kishte vendosur që ato të mbaheshin online. Vetëm një orë pas fillimit të procesit, sistemi i votimit ka rënë dhe studentët nuk po mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit. Si ministre, shpreh shqetësimin për këto lëshime. Kam kontaktuar me përfaqësues të Universitetit, studentë dhe monitorues dhe dua të deklaroj se poqese ky proces vazhdon të ketë probleme dhe lëshime, zgjedhjet duhet të anulohen dhe organet kompetente të marrin vendimin që siguron që asnjë studenti nuk i mohohet e drejta e zgjedhjes”, tha Nagavci.