“Kaçanikut i raft pika, nuk e din se çka është frika, nand sahat tuj therr me thika, hej more hej”, është refreni aq i dashur dhe i kënduar shpesh nga shqiptarët në ahengje të ndryshme apo në ambiente familjare, duke kujtuar kështu me krenari Betejën e Grykës së Kaçanikut dhe të qenit shqiptarë.
Si befasi për opinionin erdhi kur kjo këngë u këndua nga ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci në tubimin e fushatës së Vetëvendosjes në Kaçanik, raporton EO.
Madje, refreni i kënduar nga Nagavci u shpërnda në rrjete sociale.
Gjatë vënies së gurthemelit të shkollës në lagjen “Prishtina e Re”, Nagavci është pyetur se a i ka rënë “pishman” që ka kënduar në fushatë.
“Për jashtë temës, jashtë orarit të punës flasim për temat që nuk kanë të bëjnë me punën e ministres. Këtu jam në përgjegjësin time si ministre e Arsimit”, ka thënë ajo duke iu shmangur përgjigjes lidhur me këndimin e saj në këtë tubim.