“Nanë, ma vodhën fëmijërinë nga duart e mia t’vockla”, ishte një nga pankartat që binte në sy në protestën e organizuar kundër dhunimit të 11 vjeçares nga pesë burra.
Ndaj aktit të tmerrshëm të këtyre të fundit – mijëra njerëz protestuan për më shumë se një orë në rrugët e Prishtinës.
Aty kishin dalë prindër me fëmijët e tyre të vegjël për dorë, derisa të tjerë i mbanin në qafë dhe krahë, për të treguar mbështetjen e tyre për vajzën e vogël e cila u sulmua seksualisht dy ditë më parë, derisa po ecte në parkun e Arbërisë, shkruan Gazeta Insajderi.
Nga sheshi “Zahir Pajaziti”, ku nisi protesta, nuk munguan as aktivistët e shoqërisë civile, gazetarët e mbarë mediave, mjekët, këngëtarët, dhe disa politikanë.
Por, më në numër ishin vajzat e moshës së 11 vjeçares që bërtisin me mllef kundër asaj që i ka ndodh bashkëmoshatares së tyre.
“Mbrojtje për vajzat dhe gratë”, “Shteti fajtor”, “Përdhunimi është krim”, “Jo, do të thotë Jo”, “Edukoje djali”, “Gra armatosuni”, “Dhuna s’ka arsyetim”, “Përdhunuesit në burg”, ishin vetëm disa nga frazat që ato mbanin në dorë, si protestë kundër dhunës seksuale ndaj 11 vjeçares, shkruan Gazeta Insajderi.
Nga “Zahir Pajaziti” tek Qeveria – marshi që bën protestuesit
Gjithçka nisi në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku mijëra protestuesve u mblodhën pas thirrjes nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist pasi u bë publik kundër aktit çnjerëzor që ndodhi para dy ditësh në trupin e një vajze 11 vjeçe.
Marshi i tyre vazhdoi drejt objektit të Ministrisë së Drejtësisë së Albulena Haxhiut, ku protestuesit kërkonin drejtësi kundër viktimave të dhunës seksuale, ky u hodh edhe ngjyre e kuqe, duke aluduar në atë se “institucionet i kanë duart me gjak”.
“Gjak” u hodh edhe para objektiti të Prokurorisë, dhe më pas atij të Policisë, shkruan Gazeta Insajderi.
Protestuesit rrugën e tyre drejt “Luan Haradinajt” e vazhduan me duartrokitje dhe thirrje kundër dhunës, për të shkuar tutje kah rruga e “UÇK”-së, e që për destinacion kishin ndalesën para Kuvendit dhe Qeverisë.
Para objektit të drejtuar nga Albin Kurti, i cila po ashtu u la me “gjak”, protestuesit kulmuan me thirrjen: Pesë burra, shtatë orë, vajza 11 vjet.
Pas më shumë se një ore ecjeje, njerëzit u shpërndanë të qetë me idenë se më nuk do të dalin në rrugë për raste kaq të tmerrshme, si ai i përdhunimit të 11 vjeçares, shkruan Gazeta Insajderi.
Si ndodhi rasti ndaj 11 vjeçares?
Tashmë është zbuluar identiteti i 26 vjeçarit i cili po mbahet në paraburgim nën akuzen për dhunimin e një vajze 11 vjeçe. Ai është Ekrem Rexhepi, derisa në rast janë të përfshirë edhe katër persona të tjerë të moshës së vogës.
Katër nga pesë të dyshuarit për dhunimin e vajzës 11-vjeçare në Prishtinë, kanë përfunduar në paraburgim, nën dyshimin e bazuar se kryen aktin çnjerëzor të keqtrajtimit seksual të të miturës, ndërkohë njërit pritet sot t’i caktohet masa nga Gjykata kompetente.
Kjo ngjarje e tmerrshme dyshohet se nisi në parkun e lagjes Arbëria e më pas në disa lokacione tjera, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas Prokurorisë, “i pandehuri ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e të dëmtuarës”.
Më pas, sipas Prokurorisë “i pandehuri fillimisht e kishte thirrur në telefon vëllai i tij i mitur. Pastaj i pandehuri ka shkuar me (veturë) “PickUp” te parku në lagjen “Arbëria” në Prishtinë dhe e ka marrë me veturë vëllain e tij dhe të dyshuarit Xh. S. dhe G. J. dhe të dëmtuarën. Pastaj rrugës tek varrezat kanë zbritur i mituri dhe Xh. S. ndërsa i pandehuri së bashku me G. J. dhe të dëmtuarën janë larguar me veturë, ashtu që pas pak E. R. ka ndaluar veturën në një vend të panjohur dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të dëmtuarën. Edhe pse e ka ditë që e dëmtuara është nën 14-vjeç”.
Bazuar në dëshminë e nënës së saj, thuhet se vajza kishte dalë nga shtëpia, të shtunën në orët e mbrëmjes dhe nuk ka pasur asnjë informacion për fatin e saj. Ajo u trondit, kur pas mesnate, vajza u gjet, dhe në gjendje të keqe emocionale rrëfeu se çfarë i kishte ndodhur, shkruan Gazeta Insajderi.