Gjykata në Beograd ka aprovuar padinë e Boban Bogdanoviq, Sekretarit të Përgjithshëm të Institutit për Strategjinë Euro-Atlantike, ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi ky i fundit tha se Bogdanoviq është “narkodiler” dhe “simpatizant” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
Gazeta Insajderi ka siguruar padinë e aprovuar të Bogdanoviqit ndaj Vuçiqit, në të cilën kërkohen që të gjitha shpenzimet e gjykimit të mbulohen me mjete vetanake të presidentit serb.
“I padituri ZOTOHET që t’i kompensojë paditësit shpenzimet e kontestit aq sa ato janë, me kamatë vonese, duke filluar nga data e ekzekutimit dhe deri në pagesën, dhe të gjitha brenda 8 ditëve nga marrja e njoftimit me shkrim të aktgjykimit”, thuhet në aktvendim të Gjykatës së Beogradit.
“Prandaj, i pandehuri në jetën e tij nuk ka bërë tregti me lëndë narkotike, siç pretendon Aleksandar Vuçiq, as nuk ka trembëdhjetë dënime, as nuk ka qenë ndonjëherë i ndjekur penalisht, e as që ka ndonjë procedurë penale kundër tij. I pandehuri nuk mund të shantazhohet apo kushtëzohet nga autoritetet për diçka që nuk ka bërë, si dhe për gjykime që nuk ekzistojnë”, vijon padia e Bogdanoviqit.
“Prandaj, si pjesëmarrës në fjalim publik dhe si bartës i funksionit publik të Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq I është ngritur padi kundër paditësit të cilat për nga përmbajtja e tyre janë të tilla që kanë karakter të dëmshëm, d.m.th. nderi dhe reputacioni i paditësit cenohet rëndë në mënyrën e sipërpërmendur. Këto pretendime, të cilat cenojnë të drejtat personale të paditësit, janë dëgjuar si nga paditësi ashtu edhe nga familjarët, miqtë e tij dhe nga një numër i pacaktuar personash brenda dhe jashtë vendit”.
Vuçiq në një konferencë për media për “EKSPO 2027” e akuzoi Bogdanoviqin për trafikim me drogë, për vepra të mëhershme penale dhe organizim të protestave në Serbi. Ai e quajti opozitarin serb edhe si “njeri të Kurtit”.
“Ai Bogdanoviqi nuk është shumë i rëndësishëm, ai është thjesht porositësi i Kurtit në Kosovë, përndryshe ka qenë narkotrafik dhe çdo gjë tjetër, ka trembëdhjetë vepra penale, kështu që e mbajnë përgjegjës këtë dhe ai udhëheq protestat tona, d.m.th. ai është udhëheqësi i protestave. E rëndësishme është se edhe ky shtetasi tjetër kroat, Ponoš, i cili po ashtu shprehu kënaqësinë e tij për letrën e atyre që e urrejnë Serbinë, të jem i sinqertë kërkojnë që ne të njohim pavarësinë e Kosovës dhe heqjen dorë nga Republika Srpska”, tha Vuçiqi në konferencën në fjalë.
Vuçiq nuk është deklaruar ende për padinë që ka marrë nga Bogdanoviqi. /Insajderi.org/
Padia është në gjuhën serbe, ndërsa pjesët kryesore të saj janë përkthyer nga redaksia e Gazetës Insajderi.