Lider i grupit militant shiit Hezbollah në Liban, Sheik Hassan Nasrallah, ka thënë se është e vërtetë deklarata e kandidatit republikan në zgjedhjet presidenciale në ShBA, Donald Trump, se administrata amerikane e ka themeluar ISIS-in, raporton AP.
Nasrallah, në një tubim në jug të Libanit, ka thënë se deklarata e Trumpit është e bazuar në fakte dhe dokumente.
Lideri i Hebollahut, i cili ka dërguar mijëra luftëtarë në Siri, për ta ndihmuar presidentin sirian Bashar Al-Assad, kaherë ka thënë se ShBA-të kanë ndihmuar në formimin e grupit të ekstremistëve islamik dhe kanë përkrahur zhvillimin e tij në mënyrë që të destabilizohet Lindja e Afërt, raporton AP, transmeton Telegrafi.
Agjencia amerikane e lajmeve thotë se në këtë mënyrë Trump gjeti të paktën një përkrahës në akuzat e tij ndaj presidentit amerikan Barack Obama, se ai e ka “themeluar” organizatën xhihadiste ISIS.
Ndërsa, të premten, Trump ka përsëritur se ishte “sarkastik” kur Obaman e ka quajtur “themelues” të Shtetit Islamik, por ka shtuar se nuk ishte “krejt sarkastik”.