Kazanët në të cilët kallen drunjtë që krijojnë zjarr e nxehtësi për grupe të ndryshme njerëzish janë shtuar në natën e dytë, por jo edhe aq numri i protestuesve në shesh.
Janë shtuar edhe disa tenda të mëdha anash shtatores së Skënderbeut por ato kanë qenë të zbrazura, së paku deri në orën 02:30 kur kemi vizituar protestuesit që po e kalojnë natën nën qiell të hapur duke kërkuar zgjedhje të reja.
Deklarimi i nënkryetarit të VV-së, Driton Çaushit, se në natën e dytë do të vijnë grupe të reja të akvistëve ka dalë të jetë i saktë pasi vërhehen grupet të reja aktvistësh që janë të ndarë në hapësira të ndryshme në sheshet Ibrahim Rugova dhe Skënderbeu. Por kjo nuk e ka bërë më masive protestën.
Grupet dallohen mes vete përmes aktiviteteve që bëjnë e më së shumti kanë dallime në muzikë. Ka grupe që këndojnë me kitarë dhe ato që këndojnë me sharkia e çifteli. Një miniskenë e vendosur midis tendave në dy sheshe përdoret herë pas here për ndonjë performancë.
Në natën e dytë të protestës së opozitës para Qeverisë dhe Parlamentit vërehet mungesa e vizitave të liderëve opozitar sikurse një natë para, kur Ramush Haradinaj iu bashkangjit një grupi protestuesish folklorist.
Pak a shumë nata e dytë lë përshtypjen e një nate të këmbënguljes së aktivistëve të opozitës për të qëndruar zgjuar edhe një natë para se të vijë e premtja kur presin t’u bashkangjiten edhe qytetearët protestues. Opozita pret numër të madh të protestuesve për të penguar kështu zgjedhjen e Hashim Thaçit, president.
Se kjo do të arrihet, më së shumti e besojnë protestuesit që kanë qëndruar duke protestuar edhe natën e dytë.